Ambasada amerikane në Tiranë bën thirrje për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ambasada nënvizon se përveç integritetit, duhet të plotësohen edhe kushtet ligjore, duke nënvizuar se kjo është një mundësi për të shkruar historinë. “E dini se çfarë ju nevojitet për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit? Integritet, përvojë profesionale dhe aftësi udhëheqëse. Çdo person që plotëson kriteret minimale të përcaktuara nga ligji i SPAK, mund të aplikojë për këtë pozicion. Bëni përpara dhe aplikoni tani! Kjo është mundësia juaj për të shkruar historinë”, shkruan ambasada ndërsa shpërndan linkun e faqes së BKH-së. Gara për kreun e BKH-së: Prokuroria e Posaçme dëshiron të punësojë një kandidat të përshtatshëm për t’u emëruar si Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Drejtori mbikëqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short.
Sistemi i përzgjedhjes së Drejtorit të BKH-së është një proces sfidues mendor dhe fizik, i hartuar për të përzgjedhur kandidatin më të aftë. Personi që do të përzgjidhet nga ky proces, do të jetë pjesë e një grupi elitë që mbështet Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorët e Posaçëm, të cilët do të hetojnë veprat penale nën juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oragnizuar. Çfarë duhet të dini para se të aplikoni? Për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të BKH-së, kandidati duhet të plotësojë kriteret dhe kushtet ligjore të paraqitura më poshtë: -Kandidati duhet të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barazvlefshme me “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor; -Kandidati duhet të ketë eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo i Policisë Gjyqësore, ose Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit; -Kandidati duhet të ketë të paktën 5 vjet përvojë pune në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;
-Në rastet e punonjësve aktualë apo të mëparshëm të Policisë së Shtetit, kandidati duhet të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”; -Kandidati nuk duhet të jenë në hetim apo gjykim për një vepër penale dhe në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ; -Kandidati nuk duhet të ketë mbajtur pozicione politike në administratën publike ose funksione të tjera drejtuese në partitë politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit; -Kandidati duhet të kenë marrë vlerësim maksimal për aftësitë profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi; -Ndaj kandidatit nuk duhet të jetë marrë asnjë masë disiplinore “shkarkim nga detyra” ose masa të tjera të marra kundër tij/saj, të cilat janë ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit; -Kandidati nuk duhet të kenë qenë dhe duhet të mos jetë bashkëpunëtor, informator apo agjent i ndonjë shërbimi inteligjent;
-Kandidati, për periudhën 29.11.1944 – 07.02.1991 nuk duhet të kenë qenë anëtar apo kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim – Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në procese politike të posaçme; -Kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes së tij/saj duhet të plotësojnë dhe nënshkruajnë deklaratat për heqjen dorë nga privatësia, në mënyrë që nëse ai/ajo emërohet, komunikimet elektronike dhe llogaritë bankare të kandidatit dhe familjarëve të tij të jenë subjekt i monitorimit sipas përcaktimeve të neneve 3 dhe 6 të Ligjit Nr. 95/2016; -Kandidati do t’i nënshtrohen një procesi rigoroz trajnimi dhe do të emërohet si Drejtor i BKH-së vetëm pas përfundimit me sukses të të gjitha aspekteve të programit të trajnimit.