Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim ka takuar ditën e sotme 3 nga ministrat e qeverisë, duke shprehur angazhimin e SHBA për zbatimin e reformës në drejtësi. Në takimin me Ministrin në Detyrë të Punëve Europiane dhe të Jashtme Gent Cakaj, Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e saj për kontributet e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe mbështetjen e saj në misionet e përbashkëta. Ambasadorja premtoi mbështetje të vazhdueshme në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara zhvilloi sot takime prezantuese me Ministrin në Detyrë të Punëve Europiane dhe të Jashtme Gent Cakaj, Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Gjatë takimeve, Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe mbështetjen e saj të rëndësishme në misionet tona të përbashkëta. Ambasadorja gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara në ndihmë teknike për zbatimin e reformës në drejtësi dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, bën me dije ambasada amerikane.