-Gratë e dënuara dhe fëmijët në konflikt me ligjin janë përfituesit kryesorë të amnistisë së votuar dje në Kuvend. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka përshëndetur sot deputetët që përmes votës së tyre në Kuvend, votuan projektligjin për amnistinë me të cilin, thekson ministrja Gjonaj, “kemi punuar intensivisht disa muaj me qëllim që t’i jepet një mundësi e dytë lirie të gjithë kategorive që përfitojnë”. “Ashtu siç e kam theksuar edhe më herët, kemi synuar që gratë e dënuara dhe fëmijët në konflikt me ligjin të jenë përfituesit kryesorë, ku një pjesë e tyre do të lirohen nga burgu dhe pjesa tjetër do të përfitojë ulje me 1/3 e dënimit të mbetur”, është shprehur Gjonaj.
“Përpos dënimit apo rehabilitimit, riintegrimi i këtyre të fundit në shoqëri është një sfidë akoma edhe më e madhe ku ne kemi zgjedhur t’i mbështesim për t’i riintegruar në shoqëri”, ka theksuar Gjonaj. Gjithashtu, Gjonaj ka falënderuar edhe deputetët e komisionit të ligjeve dhe atij të sigurisë, të cilët, ka theksuar ajo, “e mbështetën plotësisht këtë iniciativë ligjore”.