Përfituesi i investimit nga programi IPARD II, është Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) nëse aplikon si SHBB dhe jo individualisht anëtarët e SHBB-ve.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bën të ditur se, në realitetin e ri ekonomik shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor janë një formë organizimi elitar që konsiderohen si mjete zhvillimi, që ndihmojnë në rritjen ekonomike dhe rritjen e të ardhurave.
Ato janë mjete që ndihmojnë shoqëritë të përmirësojnë qeverisjet dhe për një përfaqësim më të mirë në të gjitha nivelet.
Qëllimi i shoqërive të bashkëpunimit bujqësor është krijimi i kushteve apo ofrimi i shërbimeve sa më të favorshme për anëtarët e saj të përfitojnë nga kosto të ulura për njësi të prodhimit, shitjes, shpërndarjes, investimeve, blerjes së lëndës së parë si dhe fuqisë punëtore.
Përfitimi që marrin nga ekonomia e shkallës do të çojë në rritjen e produkteve cilësore me çmime të lira në treg si dhe do të rriste potencialin për eksporte të këtyre produkteve bujqësore. Përfitim tjetër që do të sjellin këto organizata do të jetë pikërisht krijimi i fermave të mëdha si pasojë e bashkimit të disa fermerëve së bashku për të ofruar një shumëllojshmëri të produkteve bujqësore duke kontribuar kështu në rritjen e të ardhurave për SHBB-të dhe anëtarët e tyre.