Nga Elda Shabani

Në dhjetë vjeçarin që lamë pas, industria e modës u përfshi në një dekadë tranzicioni, një dekadë dinamike, ku njerëzit nuk duan të dëgjojnë më një histori. Ata duan një përvojë dhe të jenë edhe ata pjesë e shfaqjes dhe e spektaklit.Teknologjia ka ndikuar në modën e lartë duke e bërë atë shumë dominuese dhe popullore. Në këtë dhjetë vjeçar, u hodh në treg një aplikacion i ri që quhej Instagram, një revolucion, i cili bëri botën të shfaqej më moderne dhe më spektakolare. Fenomeni fotomania riformuloi stilin tonë të të veshurit.

Instagrami, i cili në më pak se dhjetë vjet ka grumbulluar të paktën një miliard përdorues aktiv, ka krijuar një modë virtuale. Ndërsa dekada mbyllet, kjo modë virtuale – ka dëshmuar se edhe pse realiteti në internet është relativ, ajo shënjoi një nga ngjarjet më të mëdha duke hyrë në një epokë të re të modës.

Nga ringjallja e stilit normcore, të kapuçit, xhinset e rehatshme të babait, tutat, bluzat DHL deri tek luksi i gorpcore-it( stili komod, formë e modës.) Balenciaga, solli vitet e fundit një trend të quajtur “atletet e babait,” një kombinim të ngjyrave të stilit të viteve 80-të . Në dekadën e mëparshme, Obama mbrojti xhinsin e babait të tij duke thënë “Jam keqtrajtuar padrejtësisht për xhinset.

” Shumë shpejt ky trend street style u kthye në modën e lartë. Jaka Golf, veshur nga CEO i Apple, Steve Jobs, xhupat apo jelekët e mbushur, Puffer u kthyen në simbol të fuqisë dhe të prakticitetit e që mund të vishen nga kushdo – nga baballarët, studentët e politikan si Theresa May, CEO i Amazonës Jeff Bezos, duke mishëruar stilin normcor në një koncept sociokulturor. Ky stil nuk asnjë lidhje me modën, por ajo është e orientuar drejt lirisë personale – një ‘veshje e rehatshme” me një frymë “anti-modë.’

 

Kjo ndjenjë anti-modë u pa përmes rebelimit dhe protestave në rrugët e Londrës dhe të shumë kryeqyteteve të tjera në Europë por edhe më gjerë. Në Javën e Modës në Londër, 2019 u zhvillua protesta kundër ndikimit të Modës në krizën e klimës globale. Në këtë protestë një grup prej rreth 200 personash veshur me vello të zeza inskenuan një marshim funeral.

Nuk është sekret tashmë ku moda shkon në cikle, ose mënyra se si ne vishemi mund të jetë lëvizje shoqërore apo edhe politike. Por këtë dekadë kemi parë grupime, të cilët iu kundërvunë industrisë së modës, duke përdorur veshjen dhe kolorin e saj për mesazhe solidarizuese; psh e zeza, e cila nuk është më e Zeza e re, por është ngjyra e protestës – e krijuar nga lëvizja e Time’s Up kundër ngacmimit seksual.

Po kështu edhe në tapetin e kuq në Globin e Artë një koalicion përbërë nga aktor, producent, shkrimtar, agjent zgjodhën në shenjë solidariteti të zezën; Jelekët e verdhë, protestuan kundër Presidentit Emmanuel Macron dhe qeverisë së tij; Gjithashtu, koleksioni protestë gjatë Javës së Modës në Milano, në të cilën modelet mbanin të veshur kapele në formën e vaginës, në ngjyrë rozë e fortë për të dhënë një mesazh solidariteti për të drejtat e grave.

Por çfarë solli kjo dekadë?
Rikthim i ’90s Ngjyra të guximshme, imazhi i Kate Moss apo Richard Gere në ‘American Gigolo’ me kostumin e lirshëm, një trend evolucionar, si dhe pantallonat ushtarake, atletet e mëdha apo corapet e gjata; Rikthimi i kostumit. Vështirë ta besosh sot faktin se deri në fund të viteve ‘60, femrat nuk lejoheshin të darkonin në restorante ‘luksoze’ nëse do ishin të veshura me pantallona, por sot kostumi është kthyer dhe ka qënë në top listën e blerjeve, veçanërisht stili i gruas në karrierë të ’80-‘90-ës me imazhin e Melanie Griffith në filmin Working Girl, 1988.

Tendenca e 50 hijet e rozës. Kjo ngjyrë ka qënë për gjatë kësaj dekade një nga ngjyrat më të qëndrueshme. Logo Mania; logot ishin kudo, në bluza, çanta, fustane, këmishë. Gjithsesi kjo dekadë e mediave sociale dhe e gjeneratës selfi, kanë vërtetuar se shumë njerëz e përdorin modën më shumë si një mjet për të blerë sesa të zbulojnë një identitet. Instagramania solli kudo, një qasje të re të imazhit dhe modës edhe pse ato vazhdojnë të jenë një pasion aspak sezonal, por bashkëudhëtar të përhershëm të njeriut.