Kryeministri Edi Rama ashtu sikur paralajmëroi në momentin e marrjes së detyrës, misionin e tij në drejtimin e Presidencës së OSBE-së do ta nisë nga Ukraina, në një vizitë që do të nisë sot. Në cilësinë e kryetarit të zyrës së OSBE-së, Edi Rama do të zhvillojë sot takime në Kiev me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, kryeministrin Honcharuk, ministrin e Jashtëm Prystaiko dhe kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov. Pas takimeve do të ketë një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës. Në faqen zyrtare të OSBE-së theksohet se bisedimet do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore. Në Kiev, Rama do të takohet gjithashtu me stafin e SMM, Koordinatorin e Projektit në Ukrainë, dhe Përfaqësuesin e tij Special në Ukrainë dhe në Grupin e Kontaktit Trilateral.
Ndërkohë që në datë 21 janar kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë Ukrainën lindore për të parë nga afër zonën e prekur nga konflikti. “Zgjedhja e Kievit si vizitë e parë pasqyron rëndësinë e madhe që ai i kushton përpjekjeve të OSBE-së për të adresuar krizën në Ukrainë, sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot” thuhet në faqen zyrtare të OSBE-së. Për vitin 2020 Shqipëria ka presidencën e OSBE-së. SHqiptarja.com