Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një takim me Gjeneralin James Jones, ish Komandant Suprem i Forcave të NATO për Europën dhe njëkohësisht themelues i nismës “3 Seas”.
Takimi u zhvillua në në Abu Dhabi ku po mbahet forumi Global I Energjisë, organizuar nga Atlantic Council , një ndër ngjarjet më të rëndësishme botërore sa i takon shkëmbimit të eksperiencave dhe krijimit të partneriteteve të reja në fushën energjetike mes vendeve.
Ministrja Balluku bëri të ditur se me Gjeneralin Jones shkëmbeu mendime për situatën aktuale si dhe çështjet e sigurisë energjetike dhe asaj kibernetike.
“Gjenerali Jones më shprehu gatishmërinë për të mbështetur nismat e rëndësishme të qeverisë shqiptare në fushën energjetike dhe atë të teknologjisë së komunikimit, duke vlerësuar rolin vendimtar të vendit tonë në rajon”, deklaroi ministrja Balluku.