Transferimi i Carles Pérez në Romë është gati të zyrtarizohet. Sipas “Onda Cero”, është arritur një marrëveshje me Romën dhe të martën lojtari do të udhëtojë drejt Italisë për të përmbyllur operacionin. Largimi i Carles Pérez do të ndodhë në kohë rekord, pas komunikimit të drejtuesve të Barçës për lojtarin, të premten e kaluar, se nuk e kishin më në plane. Lajmi befasoi futbollistin dhe njerëzit përreth tij, të cilëve iu është dashur ca kohë për ta kuptuar vendimin.

Pas kësaj, Pérez ka pranuar propozimin e skuadrës italiane dhe qëllimi është që të mund të debutojë këtë fundjavë në Serie A. Në mungesë të konfirmimit zyrtar, Carles Pérez pritet t’i caktohet një opsion i blerjes së detyrueshme nga Roma, në qershor, prej 13 milionë eurosh. Barça, ndërkohë, do të rezervojë një tjetër mundësi të riblerjes për sezonet në vijim, çka do të fillonte me rreth 25 milionë euro.