Kolegji i Gjykatës Kushtetuese kalon në seancë plenare kërkesën e presidentit Ilir Meta për Teatrin Kombëtar, dhe një kërkesë të kryeministrit Edi Rama, ku për vendimmarrje do të duhen 6 anëtarë. Aktualisht Gjykata Kushtetuese nuk e ka këtë kuorum pasi funksion vetëm me 4 anëtarë. Po ashtu, Kolegji i Kushtetueses ka vendosur të kalojë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, kërkesën e Voltana Ademit,kryetare e Shoqatës së Bashkive, që kërkon shpalljen e pavlefshme të tyre. Kjo do të thotë se do të pritet edhe vendimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve, për t’u parë nëse kjo kërkesë do të kalojë apo jo në seancë plenare.
Në 24 Korrik të vitit të kaluar Ilir Meta çoi në Kushtetuese kërkesën për të shpallur antikushtetues ligjin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Kreu i Shtetit radhiti 11 argumente, ndërsa kërkon pezullimin e ligjit dhe mosshembjen e godinës. Ndërsa Edi Rama depozitoi në Kushtetuese për interpretim kërkesën nëse Presidenti ka të drejtë që të refuzojë dekretimin e një anëtari të kabinetit qeveritar (ministër) të propozuar nga kryeministri, pas përplasjes me rastin e Sandër Lleshajt. Në një bilanc për vitin 2019, Kolegji i cili e ka plotësuar kuorumin prej 14 nëntorit 2019 kur u zgjodhën nga parlamenti dhe presidenca anëtarë e Kushtetueses, ka shqyrtuar në total 46 kërkesa, prej të cilave 40 i ka refuzuar për t’i dërguar në seancë plenare.
Gjykata Kushtetuese vijon të funksionojë me 4 anëtarë nga 9, pa pasur kuorumin përkatës prej 6 anëtarësh që duhen për vendimmarrje në seancë plenare. Aktualisht Gjykata Kushtetuese funksionon vetëm me Kolegj Gjyqtarësh. ‘Referuar kërkesave të kaluara për shqyrtim në seancë plenare: – 1 kërkesë është paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë; – 1 kërkesë është paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë; – 1 kërkesë është paraqitur nga gjykatë, në kuadër të kontrollit incidental, sipas parashikimeve të nenit 145, pika 2 të Kushtetutës; – 1 kërkesë është paraqitur nga individ. Referuar kërkesave të kaluara për shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve: – 1 kërkesë është paraqitur nga organizatë (Shoqata e Bashkive të Shqipërisë); – 1 kërkesë është paraqitur nga individ‘ shkruhet në statistikat e Gjykatës Kushtetuese. Nga 1 janari 2020, numri total i kërkesave që ende nuk janë shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese është 85.