Gazeta e famshme zvicerane Blick e ka publikuar një artikull të veçantë për yllin kosovar të Baselit, Edon Zhegrovën, të cilin e ka quajtur lojtarin më spektakolar në fazën e sulmit në Zvicër. Artikullin mund ta lexoni të plotë në vijijm. Edon Zhegrova, supertekniku 20-vjeçar nga Kosovë, po e bënte atë që i pëlqen të hënën, në ndeshjen miqësore kundër Stuttgartit (2:0): driblime dhe trike. Në fazën e sulmit, ai është lojtari më i paparashikueshëm dhe spektakolar në Superligë. Tifozëve u pëlqen kjo, shkruan Blick. Problemi i tij: në fazën e mbrojtjes, shqiptari nga Kosova shpeshherë është i pakujdesshëm, i rrezikon kolegët e tij në mbrojtje me veprime të pakujdesshme ose harron plotësisht të kontribuojë në mbrojtje.
Anësori ka qenë pjesë e skuadrës së Baselit që nga shkurti dhe klubi po tenton ta mësojë të huazuarin nga Genku të përfshihet më shumë edhe në mbrojtje. “Ai punoi me veten dhe tashmë është përmirësuar”, ka thënë drejtori sportiv i Baselit, Ruedi Zbinden.
Xhaka i ndihmon Zhegrovës- Zhegrova duket se dalëngadalë po mësohet me taktikat e trajnerit Marcel Koller dhe tani e ka gjetur një vend në ekipin e Baselit. Mbi të gjitha, Taulant Xhaka, i cili e flet të njëjtën gjuhë, i ndihmon. “Taulanti kujdeset shumë për të”, ka thënë Zbinden. Edhe pse Zhegrova ka lindur në Herford të Gjermanisë, ai s’e di gjuhën gjermane. Familja e tij ishte kthyer në Prishtinë pas luftës, kur Edoni kishte qenë vetëm dyvjeçar. Kur ai nënshkroi kontratë trevjeçare me Genkun në verën e vitit 2017, nëna e tij, Sanije, dhe babai i tij, Lulzim, u shpërngulën në Hasselt të Belgjikës. Ndërkohë, familja Zhegrova tani pothuajse jeton në Bazel, pasi që prindërit e vizitojnë shpesh futbollistin. Ata madje udhëtuan edhe në kampin stërvitor në Spanjë. “Na pëlqen këtu. Është një gjë e mirë për të që prindërit e vizitojnë kaq shpesh”, thotë nëna e tij. Se sa gjatë do të qëndrojë Zhegrova në Basel është ende e pasigurt. Nëna dhe babai i Zhegrovës janë gjithmonë të mirëpritur në Bazel, mirëpo futbollisti duhet ta lërë pakujdesinë e tij në shtëpi në të ardhmen.