Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar sërish lidhur me vendimin e gjykatës, që pushoi hetimet ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha për lobimin 675.000 dollarë në SHBA.
Duke publikuar një deklaratë të Bashës gjatë një interviste televizive, Braçe shprehet se “Prova! Prova! Ka. Nuk ka. Ka. Nuk ka! Urdhëroni e dëgjojeni vetë! Ka dy arsye, përse ju ftoj ta dëgjoni: E para, nëse ka një mënyrë për të zbuluar fajtorin, atëherë pyete disa herë për të njëjtën gjë dhe ai do japë çdo herë përgjigje të ndryshme. Ky është rasti! E dyta, ky sistem që ende ngre krye me vendime që kurë nuk hetojnë e gjykojnë një politikan, është aq i padrejtë, i pandershëm e i pabarabartë, sa edhe kur flasin me gojën e tyre si heton e gjykon kush! Kjo zhbën besimin tek drejtësia, kjo të irriton, kjo ta shpif! Shikoni; Çështja e parave të paligjshme në fushatë është çështje kyç. E kanë bërë individë të ndryshëm e me para shumë bëhen të pakonkurrueshëm, e kanë bërë edhe parti që fryhen e shfryhen sa ju shpohet thesi”.
“Rasti me PD është flagrant dhe ky është kryetari i saj me nam. Varianti i fundit i PD për 675 mijë dollarët e deklaruar të paguar në Amerike tek Nik Muzin është se, nuk ka paguar asnjë cent më shumë se ato që ka deklaruar këtu në Tiranë. Ato nuk janë 675 mijë dollarë! Nik Muzin në dy deklarime në departamentin e Drejtësisë ka deklaruar 675 mijë dollarë të marrë për llogari të PD dhe këtë se luan topi! Janë dokumente ligjore me firmë e vulë e ai mban përgjegjësi per to. Deklarata e mësipërme e kryetarit të PD, ishte një përpjekje për të justifikuar 500 mijë dollarë ndër to; Ai ju del zot në fillim, por jo tani!” – tha ai.
Po ashtu Braçe shton se “pyetja që mbetet është shumë e qartë: Të kujt janë 675 mijë dollarët? Prokuroria e gjykata këtu, as kanë hetuar e, as kanë gjykuar për to. Provat, dëshmitë e deklaratat e tyre ia bëjnë mu! Ky vend nuk mund të këtë përherë dy standarde, njërin për qytetaret e tjetrin për një grusht politikanësh. Ky vend nuk mund të jetë përherë i padrejtë, i pabarabartë; kush shkel ligjin duhet të jetë i barabartë para tij!”, deklaron Braçe.