Këshilli i Ministrave miratoi sot në parim marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e lidhjeve të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri. Në mbledhjen e sotme të qeverisë në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” dhe të ligjit “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri, nëpërmjet një huaje prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) USD.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Programi i konektivitetit të rrugëve lidhëse rajonale dhe lokale parashikon hartimin dhe zbatimin e masave për përmirësimin e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe të sigurisë rrugore. Ky program ka si objektiv madhor rritjen e potencialeve të zonave me karakter bujqësor e turistik nëpërmjet investimeve në infrastrukturë që përmirësojnë aksesin në zonat e përzgjedhura, si dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e aseteve rrugore dhe mirëmbajtjen e tyre.