Bashkimi Europian ripohoi sot angazhimin e tij të fortë në favor të një zgjidhjeje të negociuar dhe të zbatueshme me dy shtete, menjëherë pasi Donald Trump prezantoi një plan paqeje për Lindjen e Mesme shumë të favorshme për Izraelin dhe në në kurriz të palestinezëve. “BE do të studiojë dhe vlerësojë propozimet e paraqitura, por do ta bëjë këtë në bazë të asaj që është shprehur tashmë”, tha ministri i Jashtëm i BE-së, Josep Borrell, në një deklaratë në emër të 28 vendeve anëtare, duke bërë thirrje për riorganizimin e menjëhershëm të përpjekjeve të nevojshme drejt kësaj zgjidhjeje të negociuar.
Presidenti amerikan Donald Trump bëri sot publik planin e paqes në Lindjen e Mesme duke bërë thirrje për një zgjidhje me dy shtete. Plani i presidentit amerikan për Lindjen e Mesme parashikon Jeruzalemin Lindor si kryeqytet palestinez dhe hapjen e ambasadës amerikane atje. Trump u zotua se asnjë palestinez nuk do të largohej duke thënë se ai kishte bërë “shumë” për Izraelin, por edhe se duhej të ishte i drejtë edhe me palestinezët. “Është shumë e arsyeshme që duhet të bëj shumë për palestinezët…, përndryshe nuk do të ishte e drejtë”, tha ai. Trump thotë se Jeruzalemi do të mbetet “kryeqyteti i pandarë” i Izraelit sipas planit të tij të Lindjes së Mesme. Presidenti amerikan Donald Trump tha se plani i tij i Lindjes së Mesme për të çuar palestinezët drejt shtetësisë do të përfshinte stimuj ekonomikë siç janë dyfishimi i rritjes ekonomike dhe ulja e papunësisë.
Trump gjithashtu tha se territori që ai do të ndajë për një shtet palestinez, nuk do të zhvillohej nga Izraeli për katër vjet.“Nëse ata e bëjnë këtë, do të funksionojë”, tha Trump. Presidenti Trump u ka bërë thirrje kombeve me shumicë myslimane që të mbështesin planin e tij për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme. “Ka ardhur koha që bota myslimane të rregullojë gabimin e bërë në vitin 1948”, tha Trump duke iu referuar refuzimit për të njohur Izraelin. “Amerika është e gatshme të punojë me të gjitha palët”, theksoi ai duke shtuar se kishte marrë mbështetje nga e gjithë bota dhe se disa shtete të Gjirit kishin dërguar ambasadorët e tyre në Shtëpinë e Bardhë me rastin e zbulimit të këtij plani.//ATSH