Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se Kroacia ka një përgjegjësi të promovojë dhe mbështesë fqinjët e saj në Ballkanin Perëndimor në rrugën e reformave dhe pranimit në BE, dhe bëri thirrje për takime të rregullta dhe sistematike BE-Ballkanit Perëndimor çdo dy vjet.
“Me Samitin e Zagrebit, ne duam t’u sinjalizojmë vendeve të tjera anëtare që takimet me këtë pjesë të Evropës, e cila nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së, mbahen çdo dy vjet”, tha Plenkoviç, në kuadër të marrjes së Presidencës së Bashkimit Europian nga vendi i tij.
“Ne duam t’i ndihmojmë fqinjët tanë dhe t’i mbështesim ata në përmbushjen e kushteve në mënyrë që në vitet në vazhdim, ta kenë përfunduar atë rrugë që kaloi dhe Kroacia” tha Plenkoviç.
Kryeministri kroat, i cili u takua me Presidentin Macron në Paris në fillim të kësaj jave, tha gjithashtu se ai sheh mundësinë e ndryshimit të qëndrimit të Francës, atij që në tetor pamundësoi negociatat për Tiranën dhe Shkupin.
“Macron ka thënë se dëshiron që Samiti i Zagrebit të jetë i suksesshëm dhe përparimi duhet të bëhet për këtë qëllim”, tha Plenkoviç.