Nga Bashkim Demiraj

Lajmi që i dënuari Dritan Dajti shoqërohej në ish bllok nga forcat e policisë për një vizitë mjekësore, padyshim që ishte mjaft shqetësues duke ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi sigurinë publike.

Janë pikërisht këto ngjarje kyçe që të bëjnë të kuptosh dhe qartësosh besimin apo mosbesimin ndaj institucioneve mbi veprimin apo mos veprimin e titullarëve të cilët janë emëruar për të garantuar harmonizimin e jetës së qytetarëve.
Që nga momenti i publikimit të pamjeve dhe ngritjen e tezave publike, në media u shtrua një debat agresiv sa i përket lirimit të tij, edhe pse nisur nga “lojërat” e hershme të tij me drejtësinë”, këto lajmë tashmë nuk përbëjnë ndonjë habi të madhe.
Ndërkohë, po aq sa shoqërimi i Dajtit për një vizitë mjekësore, në këtë pikë lajm përbën kundër reagimi institucional i cili duhet analizuar me kujdes për të parë se cilat janë shanset që kjo histori të përsëritet.

Nëse kundër reagimi është përkëdhelës atëherë ngjarje si këto do të përsëriten, nëse kundër reagimi është i menjëhershëm pa pritur hetime por mbi raportime gazetareske, atëherë bëhet sa për showmediatik, nëse kundër reagimi është i rrepte dhe mbi baza konkrete hetimore që shkon në shkarkimin e zyrtarëve më të lartë, atëherë shanset janë më të ulëta që në të ardhmen të kemi lajme të ngjashme.
Tashmë, jemi përpara një situate ku Ministria e Drejtësisë, ka bërë publike masat e marra nga ministrja Etilda Gjonaj. Kjo e fundit për disa ditë me radhë u bë “tabelë qitje” nga media pasi nisur edhe nga profili i saj juridik, mesa duket ende nuk e ka kuptuar që “pushkatimet pa gjyq” përbëjnë më shumë lajm për audiencën se sa ato mbi baza ligjore ku çdo vendim i marrë ka një përgjigje konkrete.

Siç e dimë, shkarkimet brenda orësh mbi baza gazetareske dhe jo hetimore për t’i treguar mediatikisht muskujt politik miletit, i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit fatura kolosale parash për shkak se të larguarit nga puna kanë fituar të drejtën e tyre në gjykatë dhe titullarët nuk kanë pasur një përgjigje lidhore.

Nëse e shohim me kujdes këtë detaj, pavarësisht presionit mediatik,Drejtësia ka pritur 5 ditë pas ngjarjes që të kryhen verifikimet intensive të dy grupeve të pavarura hetimore për të vendosur.

“1. Lirimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, z. Bardhyl Kaçorri për shkelje të rëndë.

2. Lirim nga detyra të shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, z. Ferit Mici.

3.Lirimin nga detyra të Drejtorit të IEVP-së Peqin, z. Emin Shpata për shkelje të rëndë.

4.Largim nga puna të mjekut të IEVP Peqin, z. Andi Andoni.

5.Vërejtje me paralajmërim për mjeken e DPB znj. Ermira Qirinxhi.

6.Vërejtje me paralajmërim për inspektorin e IEVP Peqin, z. Mefat Shehu”.
Nisur nga kjo, le të fokusohemi më tepër te thelbi: Nëse lajmet e përcjella në media për shoqërimin ishin me të drejtë pompoze, sot kemi një komunikim që gjithashtu me të drejtë duhet të jetë pompoz. Këtu bëhet fjalë për papërgjegjshmërinë e 6 nënpunësve të shtetit shqiptar dhe 2 prej tyre zyrtarë të niveleve të larta.

Nëse e shohim në rrafshin social dhe moral, ky është një vendim i drejtë që përfaqëson thjesht detyrën që i takon të bëjë çdo titullar pasi në fund të fundit për të paguhet.
Ndërkohë, nëse e shohim mbi bazë të kujtesës institucionale apo politike me atë çka ka ndodhur në të shkuarën, duhet pranuar që vendimi i marrë përfaqëson shkëndijat e para të një standardi të ri që duhet të vijojë të aplikohet në luftën kundër pandëshkueshmërisë.
Në këtë moment, jemi në fazën ku ndëshkimi kapërcen nga punonjësi i thjeshtë tek eprori i tij, dhe për t’i dhënë Çezarit atë që i takon mbi baza konkrete, shkarkimi i titullarëve të lartë është një vendim që duhet përshëndetur dhe inkurajuar për të shkuar më tej.
Askush nuk mund të vijojë të tallet me uniformën që i është besuar dhe paguar nga taksapaguesit shqiptarë, pasi nëse nuk merr ndëshkimin e duhur gjithnjë do të kemi po të njëjtin film të përsëritur, të njëjtat kronika dhe po të njëjtat probleme të shtruara rishtazi.
Ndaj sot nuk është më lajm shoqërimi i një të burgosuri VIP për te një klinikë private, por te iniciativa për t’i dalë përballë pandëshkueshmërisë edhe brenda sistemit duke mos kursyer as “kokat” më të mëdha.

Duke parë politikbërjen e shkuar, duket një fillim i mbarë i cili nëse zgjat, nuk do na duhet të mendojmë më se forca e ligjit po bën dy hapa para dhe tre mbrapa. Jo, ngjarjet e së shkuarës vërtet na kanë dhënë imunitet ndaj historive të tilla për të mos na bërë përshtypje, por ka ardhur koha për të pranuar një standard të ri nëse duam të jetojmë ende në këtë vend.

Gangrena duhet pastruar mirë që të shërohet, ndryshe nëse i lemë qelizat e vdekura të vijojnë procesin e tyre, atëherë mos të na vijë çudi për fundin. Sot praktikisht shkuam drejt një fundi, dhe ai është fundi i tolerimit të zyrtarëve të lartë duke bërë “koka turku” zyrtarët e vegjël.