Një javë nga vrasja e gjeneralit iranian Kasem Sulejmani, demokratët vijojnë ta kundërshtojnë vendimin e presidentit amerikan për sulmin. Të enjten, dhoma e ulët e Kongresit e ligjëroi këtë qëndrim duke kaluar një rezolutë simbolike që i ndalon presidentit Donald Trump ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme luftarake kundër Teheranit.
efekt”Sot po i përmbahemi detyrës tonë në mbrojtje të popullit amerikan, që është edhe përgjegjësia jonë. Kongresi është mandatuar si pushtet mbikëqyrës dhe pa një vendim tjetër, nuk duhet të ketë veprime luftarake kundër Iranit nga ana e administratës,” deklaroi kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi. Republikanët e quajtën rezolutën një gjest politik të kotë që po rrezikon vendin.
“Do doja të dëgjoja një demokrat të fliste me 600 familjet e nderuara të vrara nga Sulejmani, apo që të mbrojnë Iranin pasi dogjën ambasadën tonë, vranë një amerikan dhe mijëra civilë të tjerë në vendin e tyre,” shtoi lideri i republikanëve, Kevin MekKarthi. Vetë presidenti Trump e ktheu vrasjen e komandantit Sulejmani në motiv të fushatës së tij presidenciale.
Gjatë një tubimi në shtetin e Ohajos, ai tha se vdekja e zyrtarit të lartë u bë në interes të jetëve amerikane. “Sulejmani po planifikonte pa pushim sulme të reja kundër ambasadave tona, jo vetëm në Bagdad, por ne e ndalëm shpejt. Ishte një tip i keq, një terrorist gjakpirës, por tani nuk është më, tani ka vdekur,” u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Pas sulmeve të së martës në bazat amerikane në Irak, si Uashingtoni edhe Teherani kanë vendosur të mos e përshkallëzojnë më tej konfliktin dypalësh.