Shumë shpejt, nga një ëndërr thuajse e pamundur, transferimi i Christian Eriksen tek Inter po shndërrohet në një mundësi mëse reale. Ndërkohë që i preferuari, të paktën për janarin mbetet Arturo Vidal, duke marrë në konsideratë mundësinë e tij për tu përshtatur më shpejt dhe mirë me futbollin e Contes, mesfushori danez i Tottenham konsiderohet si goditja surprizë e Marottas, dhe gjithmonë e më shumë duket pranë zikaltërve.

Janë disa burime shumë pranë Eriksen, të cituara nga “Sport Mediaset”, që konfirmojnë se si edhe vetë numri 10 i “Spurs-ave” dhe menaxheri i tij, Martin Schoots kanë mbetur të goditur jo vetëm nga propozimi kontraktual i Inter, fiksuar në shumën 10 milionë euro në sezon, plus premio, por edhe nga vullneti i klubit zikaltër për ta shndërruar danezin në imazhin e skuadrës në nivel botëror për të ardhmen.