Atletico Madrid bëri një çmenduri të vërtetë verën e vitit të shkuar, teksa transferoi për plot 126 milionë euro Joao Felix nga Benfica, duke e bërë djaloshin blerjen e tretë më të shtrenjtë të historisë së futbollit. Deri në këto momente 20-vjeçari nuk ka ecur siç duhet, pasi në 15 ndeshje të luajtura ka shënuar vetëm 2 gola në La Liga dhe nuk ka shfaqur potencialin e tij. Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Mundo Deportivo”, Felix i ka çuditur të gjithë, teksa ka dhënë një deklaratë që mund të hapë shumë polemika.

“Tani e kuptoj se sa i lumtur kam qenë te Benfica”, është shprehur djaloshi portugez. Joao Felix nuk po kalon një moment të mirë në Madrid, pasi edhe presioni ndaj tij nuk është i vogël, duke ditur që janë shpenzuar plot 126 milionë euro për të. Tashmë, mbetet për t’u parë se si do të pritet kjo deklaratë nga drejtuesit e Atleticos, të cilët presin shumë nga djaloshi.