Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në Forumin Ekonomik të Tiranës, ku përfaqësues nga qeveria, donatorët dhe biznesi diskutuan mbi çështje të lidhura me zhvillimin ekonomik të vendit. Në fjalën e saj, ministrja Denaj foli mbi pritshmëritë e Qeverisë dhe MFE-së për rritjen ekonomike të vitit 2020, efektet që pritet të ketë Programi i Rindërtimit në rritjen ekonomike, përpjekjet e qeverisë në lehtësimin e të bërit biznes në vend dhe forcimin e dialogut me sipërmarrjen. Lidhur me parashikimin e rritjes ekonomike të vitit 2020 në nivelin e 4.1 %, ministrja së pari vuri në dukje se rritja ekonomike në vitet e fundit ka qenë në trend rritës dhe për vitin 2020 synohet të mbështetet kryesisht nga rritja e konsumit dhe investimeve të brendshme e të huaja. Nga ana tjetër, Ministrja tha se fondamentet kyç të ekonomisë paraqiten të qëndrueshëm, çka mbështet parashikimin e qeverisë për rritjen ekonomike.
“Besojmë që fondamentet kyç dhe bazë të ekonomisë janë të qëndrueshëm. Është shumë e rëndësishme të theksojmë se, përtej sektorit të energjisë të ndikuar nga thatësira e vitit 2019, të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë kanë pësuar rritje dhe besojmë që ka një momentum shumë të rëndësishëm, edhe me situatën e krijuar përtej fatkeqësisë nga tërmeti, për të nxitur edhe konsumin në vitin 2020 dhe për të realizuar këtë rritje”, u shpreh Denaj. Kështu, Ministrja përmendi uljen e nivelit të papunësisë në nivelin e 12% si dhe angazhimin e forcave të punës në gati 70%; sentimentin pozitiv të aktorëve ekonomikë mbi perspektivën e ekonomisë në nivelin afatmesëm; qëndrueshmërinë e sektorit financiar, si një element mjaft të rëndësishëm për tu marrë në konsideratë edhe në raport me rritjen e qëndrueshme të kreditimit; si dhe pozicionin e jashtëm të ekonomisë.
Në rritjen ekonomike të vitit 2020, sqaroi ministrja, do të kontribuojnë edhe sektorët kyç të ekonomisë të cilët, përveç sektorit të energjisë që ndikoi negativisht vitin e kaluar, kanë shënuar tregues pozitiv rritjeje, si tregtia, transporti, akomodimi, shërbimi ushqimor, industria, aktivitetet profesionale, etj.
E pyetur mbi efektin e aktivitetit të Rindërtimit në ekonomi, Ministrja Denaj pohoi se është ende shpejt për thënë se sa do të jetë ai dhe u shpreh optimiste se efektet do të jenë më shumë pozitive se sa negative.
“Ne gjykojmë që përtej efektit buxhetor të vendosur në ekonomi, do të ketë dhe efekte të tjera të cilat do të vijnë dhe nga aktivizimi i ndihmave të tjera që do të jenë ekstra buxhetore, por që gjithsesi do të sjellin një dinamizim të ekonomisë”, tha Denaj, ndërsa u shpreh optimiste se ndikimi në sektorin e turizmit do të jetë minimal, duke qenë se sektori ka patur një promovim shumë të mirë dhe vitet e fundit numri i turistëve ka qenë gjithnjë në rritje. Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj foli edhe mbi vëmendjen e shtuar të qeverisë në lehtësimin e të bërit biznesin në vend dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Këtë vëmendje të shtuar e tregon edhe krijimi i një ministrie të veçantë për mbrojtjen e sipërmarrjes, ndërsa dialogu me komunitetin e biznesit është forcuar ndjeshëm.