Shqipëria është një ndër 9 destinacionet kryesore të vitit 2020, të përzgjedhura nga prestigjiozja “Financial Times”, së bashku me vende si: Norvegjia, Çadi, Armenia, Japonia, Republika Domenikane, Mbretëria e Bashkuar dhe Uruguai. Mali i Zi ka qenë ylli i vitit të kaluar, por i gjithë rajoni është në rritje, thuhet në shkrim.
“Vizitorët janë të tërhequr nga malet, kanionet, lumenjtë, vija bregdetare, qytetet antike, rrënojat e qyteteve greke dhe romane, qytezat otomane si dhe mikpritja rurale”-thotë Financial Times.
“Aventurierët e udhëtimeve të gjata me këmbë, i shohin Bjeshkët e Namuna të veriut të Shqipërisë, të cilat deri pak kohë më parë ishin të paprekshme, si pasojë e periudhës së komunizmit apo luftës të Kosovës, si një alternativë e alpeve, të cilat nuk kanë fare zhvillim turistik”-thuhet më tej.
Nga ana tjetër, artikulli vë theksin edhe te rëndësia e tureve historike, sidomos në zonat e mbrojtura Unesco, si Butrinti. “Financial Times” citon edhe kryeministrin Rama, sipas të cilit, të huajt mendojnë se Shqipëria është një vend ku të vrasin apo të grabisin, por që kuptojnë që janë në parajsë sapo dalin gjallë nga vendi.