Nga Artur Ajazi/

Në SHQUP, nuk ka mbetur më njeri të flasë dhe të vazhdojë serialin investigative, veç sekretar Gazit. Ai po bën politikën e ditës, atë “editoriale” të partisë, ai po vazhdon denjësisht të bëjë opozitën e partisë, madje duke e ngritur fort “stekën” drejt qeverisjes. Duket sikur përfundimisht në PD punon vetëm sekretar Gazi, duket sikur në atë parti vetëm ai ka barren e madhe të zbulimit dhe publikimit të “skandaleve dhe përgjimeve”, duket sikur vetëm tek ai Doktori dhe Lulzimi kanë varur shpresat e vazhdimësisë së “projektit për rikthimin në pushtet”.

Dhe kjo në fakt nuk është shumë e vështirë ta zbulosh, pasi roli dhe pozicioni që ka sot Gazi në atë parti, janë dy gjëra me ngarkesë goxha të madhe. Ardhja e Gazit në PD, në fillim është parë me mosbesim, dhe askush nuk e kishte besuar madje as Doktori dhe Lulzimi, se Gazi do të sillte “gaz e hare” me bëmat e tij. Gazi ishte i pari që mbështeste çadrën e “lirisë” dhe afrimin e rinisë, paçka se partia kishte rrjedhje të madhe pas humbjes në 2017.

Gazi ishte i vetmi që mbështeste edhe Republikën e Re, shpikjen e hershme të kryetarit Basha. Ai ishte ndër të parët, që mbështeti fort “aksionin opozitarist” për bojkotin e Parlamentit, djegien e mandateve, duke mos harruar dhe “dosjet e përgjimeve të Babales”.

Gazi mbetet një zë i fuqishëm në atë parti, e cila sipas sondazheve, ka mbetur e fundit përsa i përket renditjes në aleancën opozitariste. Kjo për faktin se PD, ecën “rrotë më rrotë” tanimë për elektorat me Partinë Republikane të Fatmir Mediut. Ndaj dhe porosia e fundit që sekretar Gazi ka marrë nga Doktori dhe Lulzimi është “ngrije PD atje ku ishte para 2013”.

A thua do t’ja dalë? Kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet e 2021, por ajo që vlen të theksohet është fakti se, Gazi është përbetuar të mos bëjë asnjë ditë pushim, madje as të shtunë e të djelë, derisa “PD të bëhet edhe njëherë me 1 milion anëtarë”.

Por deri atëhere, ëndrra e Gazit, ndoshta ka mbaruar bashkë me misionin e asaj partie, që do të kujtohet gjatë nga shqiptarët si partia e parë politike me “mandat të kufizuar”. Por pavarsisht kësaj, sekretar Gazi sot për sot, është njeriu me “mandat të pakufizuar” nga kryetari Basha, i cili i ka lënë atij kompetenca të plota lidhur me aksionet opozitariste.

Ndoshta kjo duhet parë edhe më larg se ç’duket, ndoshta sekretar Gazi po pergatitet të jetë një ditë kryetari i ardhshëm i Kuvendit, apo dhe kryetari i ardhshëm i PD, gjithmonë pas Lulzim Bashës. Por edhe kjo duket disi e pamundur, pasi Lulzimi e ka vendosur, deri sa të mbushë moshën e pensionit,do të mbetet kryetar partie. Dhe deri atëhere sekretar Gazit, i mbetet edhe shumë “punë” për të bërë, i mbeten edhe qindra e mijëra metra xhirime dhe inçizime, qindra dosje për të hartuar dhe denoncuar, derisa të fitojë bekimin e plotë të kryetarit Basha.