“Shigjetat nuk janë thjesht fjalë që mund të shkaktojnë dëme, por edhe mendime e kujtime që krijuam ndër vite”, i cilëson artisti Greg Rama punimet e prezantuara në ekspozitën “Fidem” (Besim), të çelur ditët e fundit në një prej galerive të qytetit të Janinës, Greqi. Ekspozita transmeton tek publiku artdashës një komunikim të hapur dhe afrimitet që shenjon një territor të personalizuar për artistin e ri Greg Rama.Artisti Greg Rama vjen ndryshe këtë herë në gjurmët e artit si një komunikim i pamundur i monologut të brendshëm e kaotik që nuk ndahet drejtpërdrejt, por i kamufluar përmes gjuhës së ndërmjetësuar të artit.
Në çeljen e ekspozitës, me kurator Vladimir Myrtezai, ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Janinës, Moses Elisaf, artistë, si dhe artdashës të shumë. Në fjalën e tij në çeljen e ekspozitës, Gregu përshkroi mënyrën se si lindi ideja për të sjellë ekspozitën “Fidem” dhe se shigjetat që janë simbol i saj, nuk janë thjeshtë fjalë që mund të shkaktojnë dëme, por edhe mendime e kujtime që krijuam ndër vite.
“Kur vizatova “Fidem”, shkova të këshillohem me kuratorin e ardhshëm të ekspozitës, i cili më pyeti: Çfarë do të tregojnë ato shigjeta? A do të fluturojnë ato në të gjithë galerinë…a do të drejtojnë në hyrje të galerisë, a do të fluturojnë brenda dhe jashtë galerisë…?. Në Shqipëri kemi një shprehje të zakonshme që një fjalë mund të shkaktojë më shumë dëme sesa çdo armë. Pra, ato shigjetat nuk janë vetëm fjalë, që kërkojnë të shkaktojnë dëme, ato janë edhe mendime, kujtime, ngjarje të gëzuara apo shqetësuese, duke depërtuar nëpër muret që krijuam ndër vite për t’u mbrojtur”,- tha Greg Rama.
Artisti i ri shprehet se “ndonjëherë ato humbasin, ndonjëherë afrohen dhe disa herë të tjera ato tregojnë drejtpërdrejt zemrat dhe jetën tonë”. Duke falënderuar pjesëmarrësit dhe grupin e punës që e përkrahën për këtë punë fantastike, Greg Rama tha se falënderoj Kryebashkiakun Elisaf që ishte këtu. Unë me të vërtetë shpresoj që ju zoti kryetar të vlerësoni artin aq sa unë vlerësoj politikën”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorët në vendin fqinjë deri më datë 31 janar, ndërsa prezantimin e saj të parë “Fidem” e pati në Shqipëri në shtator 2018.