Një gazsjellës i ri që zyrtarizohet sot me firmosjen nga Greqia, Qiproja dhe Izraeli pritet të tensionojë raportet në rajonin e Mesdheut Lindor. Gazsjellësi “Eastmed”do i shërbejë edhe Bashkimit Europian për të përmbushur nevojat e veta për gaz natyror, ndërsa është kundërshtuar nga Turqia.
Greqia, administrata greko-qipriote dhe Izraeli do të nënshkruajnë marrëveshjen ndërqeveritare për gazsjellësin e Mesdheut Lindor.
Ceremonia mbahet të enjten në orën 17:30 në praninë e kryeministrit grek Qirjakos Micotaqis, homologut izraelit, Benjamin Netanjahu dhe presidentit të Qipros, Nikos Anastasiadis.
Gazsjellësi “Eastmed” parashikon shtrirjen e një tubacioni 2,000 kilometra të gjatë për të çuar çdo vit deri 10 miliardë metër kub gaz natyror nga rezervat gazmbajtëse të Qipros dhe Izraelit për në Greqi e më tej në Europë.
Sasia pritet të përmbushë deri 10 për qind të nevojave të Bashkimit Europian për gaz natyror.
Projekti ka mbështetjen e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe po zhvillohet nga kompani greke dhe italiane të fushës.
Italia është planifikuar të bëhet pjesë zyrtare e nismës në një datë më të vonë.
Marrëveshja pason rritjen e tensioneve në rajon pas akordit polemizues për ndarjen e ujërave territorialë mes Turqisë dhe Libisë, pakt nga i cili Ankaraja pretendon tani disa zona ku kalon gazsjellësi më i ri.
Greqia deklaron se qëllimi i marrëveshjes nuk është t’i dërgojë mesazhe Ankarasë, por të promovojë bashkëpunimin rajonal në sektorin energjetik.