Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e lavdëroi drejtorin ekzekutiv të Manchester Unitedit, Ed Woodwardin, për punën që e ka bërë. Ai gjithashtu i kritikoi tifozët e klubit të tij që u sollën keq gjatë derbit të së mërkurën në Etihad. Të martën në mbrëmje, një grup prej 20 tifozëve të Manchester Unitedit u grumbulluan para shtëpisë së drejtorit ekzekutiv të klubit, Ed Woodwardit, dhe e xhiruan veten duke e sulmuar shtëpinë me fishekzjarrë dhe bombola gazi. Ende nuk është raportuar për asnjë dëmtim serioz, pasi që Woodwardi, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e tij nuk ishin të pranishëm në shtëpi gjatë kohës kur ndodhi incidenti.
Klubi reagoi ndaj këtij incidenti duke thënë se dhuna e tillë është e papranueshme dhe se pjesëmarrësit në këtë incident do të dënohen duke u pezulluar përjetësisht nga Old Traffordi. Ndërkohë – gjatë fitores së Unitedit 1:0 kundër Cityt në Etihad të mërkurën – disa tifozë ishin kapur nga kamerat duke bërë simbole të aeroplanëve drejt tifozëve të Manchester Unitedit, duke iu referuar tragjedisë së Munihut. Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i dënoi të dyja këto veprime në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes. “Nuk më pëlqen kjo gjë. Nuk më pëlqen çfarë ndodhi me Ed Woodwardin në shtëpi. Ne e shohim skuadrën e Manchester Unitedit, është shumë e mirë. Sinqerisht, është me të vërtetë e mirë”, ka thënë Guardiola.
“Kështu që ajo nuk është mënyra e duhur për t’i bërë gjërat. Ju po flisni për veprimet e tifozëve të Manchester Cityt, nuk e dija që ndodhi kjo. Nëse ka ndodhur, nuk është aspak gjë e mirë”. Manchester City do të përballet me Aston Villan në Wembley më 1 mars, pas fitores me rezultat të përgjithshëm 3:2 kundër Manchester Unitedit në gjysmëfinale – përkundër që e humbi ndeshjen kthyese në Etihad me rezultat 1:0.