Ambasadori i Francës në Shkup, Christian Thimonier ka deklaruar se, procesi i reformimit të BE-së mund të zhvillohet paralelisht me procesin e bisedimeve për anëtarësim. Duke folur në tryezën e rrumbullakët me titull “Rruga për në BE dhe NATO: Perspektivat dhe sfidat” të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve, në Shkup, Christian Thimonier theksoi se, “nga ana jonë ekziston çështja e reformës së funksionimit të BE-së, sepse nuk do të ketë kuptim që të ju pranojmë në union që nuk ka rend”, raportojnë mediet në Maqedoninë e Veriut.
“Nga ky këndvështrim do të them se proceset mund të udhëhiqen paralelisht, sepse rruga që është para jush nuk është e shkurtër, por gjithsesi është edhe rrugë e reformave tona të brendshme në union, e cila po ashtu nuk është e shkurtër. Me gjasë do të bashkohen dhe mendoj se do të na duhet të punojmë në këtë drejtim. Kjo është qasje pozitive dhe mendoj se jemi më të sinqertët që i themi çështjet ashtu siç janë. Mendoj se në këtë moment atë që u cilësua si gabim historik, ne po e bëjmë mundësi historike”, tha Christian Thimonier.