Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, z. Olivér Várhelyi shpreson që hapja e negociatave të ndodhë para Samitit të Zagrebit që është në maj të këtij viti. Ai është shprehur se ka biseduar me dy vendet skeptike për sa i përket hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, ai ka biseduar me Francën dhe me Holandën dhe ka vërejtur një klimë pozitive për negociatat.

“Kam qenë në Francë dhe në Holandë. Kam biseduar rreth shqetësimeve të tyre. Jam përpjekur që të shoh përparimet e bëra duke biseduar me ta. Me qasjen e re që do të ribalancojë negociatat për anëtarësim, dhe po ashtu me përparimin që po arrihet ne do të ndryshojmë klimën politike. Kam pasur diskutime pozitive me Holandën dhe Francën. ” tha, Olivér Várhelyi.