Përfaqësuesi Special Presidencial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka konfirmuar se aktualisht është duke i udhëhequr i vetëm përpjekjet për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Grenell tha se se në punën e tij të deritanishme të konkretizuar edhe me dy marrëveshje, një për linjën ajrore dhe tjetra për hekurudhën Prishtinë-Beograd, nuk kanë qenë të përfshirë as Gjermania, as Franca e as Bashkimi Europian. Megjithatë ai tha se të gjithë ata që janë të interesuar për të ndihmuar janë të mirëpritur.
Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, kanë qenë më të përfolurit përgjatë vitit 2019, sa herë është diskutuar rreth përpjekjeve për rinisje të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bllokuara për shkak të taksës 100% ndaj eksporteve serbe. Në fundin e prillit të vitit 2019 Merkel organizoi në Berlin një samit në përpjekje për të zhbllokuar situatën. Përveç Macronit, në këto përpjekje Qeveria Federale ishte koordinuar ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përpjekja gjermano-franceze për rikthim të palëve në tryezë u zbeh pas dështimit të Samitit të Parisit i planifikuar të mbahej në muajin korrik, kurse në anën tjetër SHBA’ja kishte aktivizuar dy përfaqësues special, Matthew Palmer dhe Richard Grenell, puna 4 mujore e të cilit këto ditë u konkretizua me dy marrëveshje, duke shtyrë përpara Prishtinën dhe Beogradin drejt arritjes së marrëveshjes. Zëdhënësi i Merkel ka deklaruar se kancelaria nuk i komenton përpjekjet e aleatëve dhe se mirëpresin faktin nëse Kosova e Serbia pajtohen për të përmirësuar lidhjet dhe bashkëpunimin. Megjithatë ai tha se është i nevojshëm një dialog politik, për nisjen e të cilit kërkojnë heqjen e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Zëdhënësi i Merkel tha gjithashtu se qëndrimi i përgjithshëm i Qeverisë Federale nuk ka ndryshuar dhe se ata mbështesin përpjekjet e Bashkimit Europian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me përpjekjet e emisarit të Donald Trump dhe arritjen e dy marrëveshjeve parimore Kosovë-Serbi, nuk është parë ndonjë qëndrim përmbajtjesor i Bashkimit Europian dhe zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borell, I cili pritet që të vizitojë Kosovën gjatë fundjavës.