Interpol lëshon urdhër arresti ndërkombëtar për Carlos Ghosn të cilin ua komunikoi autoriteteve të Libanit, vend ku ndodhet aktualisht ish-Presidenti i Nissan-Renault, i akuzuar nga Japonia për evazion fiskal dhe mashtrim.
Lajmi u bë me dije nga ministri i brendshëm libanez Albert Sernhan, i cili la të kuptohej se Ghosn mund të merret në pyetje. Nga ana tjetër ai bëri me dije se Libani dhe Japonia nuk kanë marrëveshje për ekstradimin.
Ndërkohë hetuesit japonezë kontrolluan banesën e Ghosn, ndërsa Turqia ka arrestuar disa persona të cilët mund të jenë të përfshirë në arratinë e tij.
Ghosn, i akuzuar për një sërë krimesh financiare dhe fiskale, u arrestua në Tokio në muajin nëntor 2018 dhe vetëm në prill u lirua me kusht që të mos dilte nga Japonia.
Por Ghosn, i cili ka edhe shtetësinë franceze, libaneze dhe brazliane, arriti që të arratisej nga Japonia, pavarësisht se të tre pasaportat e tij i ishin bllokuar.
Mendohet se Ghosn ka udhëtuar me avion privat nga aeroporti i Kansai, në perëndim të Japonisë dhe në 29 nëntor është larguar nga Stambolli, për të udhëtuar drejt Bejrutit në Liban.
Ministria e brendshme e Turqisë ka nisur një hetim lidhur me transferimin e menaxherit të dy avionëve privatë gjatë së hënës nga aeroporti i Stambollit. Deri më tani janë ndaluar dhe marrë në pyetje shtatë persona, mes tyre katër pilotë.