Emra të rëndësishëm të policisë, kanë shfaqur interes për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, e ashtuquajtur si FBI shqiptare.Burime të sigurta brenda Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmojnë se kanë shfaqur interes për të drejtuar të ashtëquajturën FBI-në shqiptare emra të rëndësishëm të policisë. Në garë për kreun e BKH është Artan Shkëmbi, drejtues i Task-Forcës.
Në total deri më tani janë shtatë persona që kanë shfaqur interes, ndërsa vetëm katër prej tyre kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, i cili po shqyrtohet nga komisioni. Interes për të qenë pjesë e BKH-së kanë shfaqur edhe shqiptarë që kanë punuar herët në poste të larta drejtuese, por që aktualisht jetojnë në SHBA. Njëri prej tyre është edhe Fatos Dervishi, i cili në fillim të viteve ’90 ka qenë zv. Prokuror i Përgjithshëm. Një nga kriteret kryesore për drejtuesin e BKH, krahas eksperiencës, janë dhe aftësitë e mira fizike. Afati i fundit për të aplikuar për drejtuesin e BKH është data 30 janar 2020.