Marash Kumbulla është një nga mbrojtësit më të kërkuar aktualisht në Serie A. Futbollisti që aktivizohet me skuadrën e Hellas Veronës ka shkëlqyer këtë sezon duke marrë vëmendjen e disa skuadrave prestigjoze të Europës. Interi, Lazio, Napoli, Juventusi, Milani dhe Manchster United janë në negociata me drejtuesit e klubit italian për shërbimet e Kumbullës.
19-vjeçari i kombëtares shqiptare zhvilloi edhe ditën e djeshme një ndeshje pozitive kundër Genoas dhe në një prononcim për mediat italiane, trajneri i Veronës, Ivan Juric ka deklaruar se mbrojtësi nuk do të lëviz deri në fund të sezonit. “Jemi të qetë për Kumbullën. Këtë sezon nuk shkon askund, pastaj në të ardhmen të shohim. Ai është një djalosh i cili ka nisur të luajë tani dhe ka hapësira përmirësimi të jashtëzakonshme. Duhet të qëndrojë i qetë si është tani. Ai është një person shumë serioz”, u shpreh Juriç.
Për Marash Kumbullën Verona kërkon të paktën 20 milionë Euro për ta lënë të lirë.