Të martën e 21 Janarit, në Gjykatën e Apelit të Tiranës, do të nisë shqyrtimi i konfliktit të paprecedentë për kontrollin e ambienteve Duty Free në Aeroportin e Rinasit. Dyqanet pa taksa vijojnë të shfrytëzohen nga bashkëshortja e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, përmes kompanisë së saj Albania Duty Free Distribution. Elona Çaushi humbi tenderin për menaxhimin e ambienteve Duty Free si dhe i mbaroi kontrata me TIA që në 27 gusht 2019, por falë vendimeve të kontestuara të dy gjyqtarëve pa Veting Mimoza Kajo Brahimi dhe Avni Sejdi, familja Gjoni vijon kontrollin e dyqaneve. Tenderin për këto ambiente e ka fituar kompania amerikane International Cruise Duty Free, e cila ka lidhur edhe një kontratë me TIA-n që në korrik të 2019. Vendimi i parë për këtë konflikt është marrë nga Mimoza Kajo-Brahimi, pasi kompania e Elona Çaushi i ‘dogji’ më parë çështjen gjyqtarit Arjan Aliaj, përmes një manovre procedurale.
Mimoza Kajo-Brahimi vendosi që kompania e gruas së Gjin Gjonit duhej të vijonte aktivitetin tregtar në Rinas, pavarësisht rrethanave të mësipërme. Ditën e martë nis verifikimi i këtij vendimi në Apel. Procesi nis me një hije të madhe dyshimi. Pjesë e trupit gjykues që do të shqyrtojë çështjen, pra që do të vendosë nëse Elona Çaushi dhe Gjin Gjoni duhet apo jo të lirojnë dyqanet në Rinas, është edhe gjyqtarja e Apelit Elbana Lluri. Zonja Lluri, siç vërtetohet nga këto dokumente, është bashkëshortja e gjyqtarit Gerd Hoxha, një emër i njohur i drejtësisë, i cili ka qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë bashkë me Gjin Gjonin, bashkëshortin e Elona Çaushit. Gerd Hoxha, në cilësinë e kreut të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, në një linjë me Partinë Demokratike, ishte në krye të betejës kundër ligjit të Vetingut. Gerd Hoxha dhe Gjin Gjoni, kur ishin pjesë e KLD-së kanë shfaqur njëfarë uniteti, po t’u referohemi votës së tyre në linjën e shumicës së KLD së kryesuar nga Bujar Nishani, për emërime dhe mbrojtje të gjyqtarëve, të cilët Ministria e Drejtësisë kërkonte që të shkarkoheshin nga detyra për shkelje.
Në vitin 2010, gjyqtarja Elbana Lluri ka shqyrtuar një tjetër padi të kompanisë së gruas së Gjin Gjonit, në atë kohë kundër kompanisë gjermane ‘Hochtief Airport Retail”sh.p.k., duke vendosur në favor të Elona Çaushit. Trupa gjykuese përbëhej nga Elbana Lluri, Blerina Muça dhe Artur Gaxhi. Konflikti ishte po për dyqanet në Rinas. Me ndërtimin e Terminalit të Ri të Aeroportit “Nënë Tereza”, ‘Hochtief Airport Retail” në datë 29.11.2006 mori me nënkoncesion aktivitetin tregtar të këtij aeroporti nga kompania koncesionare TIA. Kjo kompani kishte të drejta ekskluzive, të dhëna nga TIA, për të administruar dhe operuar me shërbimet tregtare si: Duty Free, shitje me pakicë të mallrave të veçantë si dhe drejta për të administruar dhe operuar këto shërbime nëpërmjet dhënies së tyre me nënkoncesion. Kompania gjermane ‘Hochtief Airport Retail” kontaktoi kompaninë gjermane ‘Gebr. Heinemann KG’, një shoqëri gjermane aktive në fushën e veprimtarisë se Duty Free nëpër aeroportet e të gjithë botës.
‘Hochtief Airport Retail” i vuri si kusht Elona Çaushit futjen e ‘Gebr. Heinemann KG’ si aksionere në ADFD. Elona Çaushi, për të vijuar aktivitetin tregtar në Rinas, e pranoi kushtin, duke futur si ortak maxhoritar në ADFD-në kompaninë gjermane “Gebr. Heinemann Albanien Holding” sh.p.k, me 70 % të kuotave të kapitalit. Në vitin 2010, Elona Çaushi i nxori jashtë loje të dyja kompanitë, përmes trupit gjykues, ku bënte pjesë edhe gruaja e Gerd Hoxha, e cila do të gjykojë të martën në Apel konfliktin e radhës, po për dyqanet në Rinas, mes gruas së Gjin Gjonit, TIA-s, kompanisë amerikane dhe Ministrisë së Financave. Në vitin 2010, përpos të tjeta tjerave, trupi gjykues vendoi që kompania ‘Hochtief Airport Retail’ t’i paguante Elona Çaushi edhe 345.466 euro.
A po i dikton Gjin Gjoni gjyqtarët që po gjykojnë çështjen e biznesit të gruas së tij në Rinas, duke përdorur influencat dhe lidhjet e tij në drejtësi? Dyshimet janë të forta nëse i referohemi një manovre të kompanisë së Elona Çaushit në gusht të 2019. Në 1 gusht të 2019, gjyqtari i Tiranës Arjan Aliaj mori në shqyrtim kërkesës së Albania Duty Free Distribution (ADFD) për të vijuar aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit. Çuditërisht, përfaqësuesi i Albania Duty Free Distribution nuk është paraqitur në gjykim, pa shkaqe të arsyeshme, sipas vendimit të gjykatës. Arjan Aliaj, për rrjedhojë, mbylli çështjen. Dështimi i këtij gjyqi duket se ishte i qëllimshëm, pasi në të njëjtën datë, pra me 1 gusht hidhet një padi tjetër me të njëjtin objekt gjykimi, me një kërkesë për sigurim padie, sërish nga kompania e gruas së Gjin Gjonin. Shtate ditë më vonë në lojë shfaqet një tjetër gjyqtare, konkretisht Mimoza Kajo-Brahimi, e cila shqyrton të njëjtën kërkesë dhe vendos që kompania e Elona Çaushit të vijojë aktivitetin tregtar në Aeroportin e Rinasit. (Shqiptarja.com)