Kylian Mbappè ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”. Aty foli mbi shumë tema, duke shpenzuar fjalë të ëmbla edhe për Cristiano Ronaldo e veçanërisht Marco Verratti. Sulmuesi i PSG, në fakt, pavarësisht se ka luajtur me kampionë të tjerë të shkëlqyer, rrëfen se ishte veçanërisht i impresionuar nga ish-mesfushori i Pescara: “Marco është një fenomen, kjo duket nga të gjithë. Ai është lojtari që më ka bërë përshtypje më shumë, që kur kam mbërritur te PSG. Një lojtar shumë i fortë. Për mua është fat i jashtëzakonshëm që ta kem atë në ekip”.
Idhulli i Mbappé si fëmijë, megjithatë, ishte Cristiano Ronaldo, por pa dyshim edhe bashkatdhetari Zinedine Zidane: “Nëse je francez, pa dyshim që rritesh me mitin e Zidane. Asokohe, idhull im ishte edhe Cristiano Ronaldo, me të cilin tani kam fatin të përballem si kundërshtar, edhe me ekipin kombëtar”.
Kur pyetet nëse është më shumë i frymëzuar nga Messi apo Cristiano Ronaldo, Mbappé nuk ka dyshime: “Tashmë është vonë për mua të bëj karrierë si Messi (besnik i një skuadre të vetme), përndryshe do të më duhej të qëndroja te Monaco. Kështu që, duke dashur të mos iu heq asgjë meritave të Messit, tani duhet të frymëzohem nga karriera e Ronaldos”.
Francezi, gjithashtu, e sheh Juventusin në mesin e favoritëve të mëdhenj për fitimin e Champions-it. Një objektiv që, sipas Mbappé, e bën të arritshëm prezenca e Cristiano Ronaldos te bardhezinjtë: “Juventusi është një ekip i fortë. Apriori, edhe finalet e Champions-it, të luajtura në sezonet e fundit, e tregojnë këtë. Bardhezinjve iu ka munguar gjithmonë diçka që bën ndryshimin, por tani e kanë atë me Ronaldon, lojtarin që ju bën të fitoni gjëra të rëndësishme. Kështu që Juventusi mbetet ndër favoritët edhe këtë edicion”.