Monedha e përbashkët europiane e ka nisur këtë vit duke fituar pikë ndaj lekut vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 121.97 lekë, apo rreth 0.20 pikë më shumë.

Leku ka humbur pikë ndaj shportës kryesore të monedhave në vend. Kështu dollari amerikan u këmbye gjatë ditës së sotme me 108.98 lekë, apo rreth 0.34 pikë më shumë se sa mbylli vitin 2019. Edhe paundi britanik fitoi terren duke u këmbyer me 0.41 pikë më shumë në kuotën e 143.4 lekëve. Për sa i përket frangës zvicerane ajo u këmbye me 112.5 lekë, rreth 0.2 pikë më shumë se në mbyllje të vitit 2019.

Nënçmimi i euros në tregun vendas të këmbimit Kursi mesatar i euros për gjithë vitin 2019 ishte 123 lekë nga 127.6 lekë në 2018-n, duke shënuar një nënçmim prej 4.6 lekësh, ose 3.6%. Ky nivel është afër mesatares vjetore minimale historike që kur euro ka dalë si monedhë fizike, të arritur në vitin 2008 prej 122.8 lekësh.

Në 2018-n, kursi mesatar i këmbimit për gjithë vitin ishte 127.6 lekë, me një rënie prej 6.5 lekësh në raport me mesataren e një viti më parë, duke shënuar rënien më të madhe vjetore që nga 2004-a, sipas përpunimit që Monitor u bëri të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Që nga viti 2013, kur monedha e përbashkët ishte në kulmin e saj prej 140.3 lekësh, euro ka rënë me 17 lekë, duke u zhvlerësuar me 12.3%.

Ndryshe nga 2018-a, kur bleu mbi 450 milionë euro për të frenuar rënien e pazakontë të monedhës së përbashkët, këtë vit Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg vetëm për efekt të rritjes së rezervave të saj valutore. Deri për 9 mujorin, kur janë bërë publike të dhënat, Banka e Shqipërisë ka blerë 99.3 milionë euro.