Kryetari i Grupit Parlamentar Sociliast Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë Librazhd Kastriot Gurra inspektuan rikonstruksionin e blloqeve të banimit në fshatin Togëz në Librazhd.Projekti është një bashkëfinancim i Bashkisë së Librazhdit dhe Qeverisë Shqiptare dhe u vjen në ndihmë 74 familjeve në kushte të vështira ekonomike.

Përkatësisht, nga ky projekt kanë përfituar 45 familje në fshatin Togëz, 16 familje në fshatin Semes, 12 familje në zonën e stacionit të trenit në Librazhd dhe 1 familje në fshatin Spathar.Pallatet që po i nënshtrohen rikonstruksionit janë ndërtuar rreth viteve 1980 dhe gjendja e tyre paraqitej tejet e amortizuar.

Kryetari i Bashkisë theksoi se ky projekt u vjen në ndihmë familjeve në kushte të vështira ekonomike, kryesisht atyre me ndihmë sociale, ndërsa shpreson në një fazë të dytë, ku të përfitojnë edhe disa familje të tjera në vështirësi.Ndërsa Balla theksoi se në Togëz investimet do të vazhdojnë me sistemimin e hapësirave publike si dhe rikonstruksionin e qendrës shëndetësore dhe kopshtit të fëmijëve.

Pas kësaj, shtoi Balla, më në fund Togëzi kthehen në një lagje të qytetit të Librazhdit.Po ashtu, disa sipërmarrje private në këtë zonë, po ndikojnë në rritjen ekonomike, duke hapur vende pune dhe duke u ardhur në ndihmë banorëve.