Nga Alfred Peza

Ka ca kohë që Lulzim Basha e ka lënë bazën e PD, i ka lënë strukturat e saj kudo nëpër Shqipëri, e ka lënë aksionin opozitar, e ka lënë në mes “revolucionin” demokratik dhe ka nisur gjatë vitit të ri 2020, që të sillet sikur është tashmë Kryeministër. Mjafton që të shohësh lëvizjet e tij të fundit dhe e kupton menjëherë këtë qasje të tij të re, autosugjestive!

Le ti marim disa prej tyre një e nga një me radhë.

E para, i mblodhi aleatët, mediat dhe rrethin e njerëzve të tij të ngushtë e u tha se është kundër ndryshimit të sistemit elektoral, tani që po afrojnë afatet për të vendosur rreth draftit të reformës së re elektorale në Shqipëri. Kjo i tërboi të gjithë opozitarët, të cilëve deri më 31 dhjetor 2019, u kishte thënë komplet të kundërtën. E si të mos mjaftonte kjo, u tha të gjithëve, se nëse ata do vazhdonin të kërkonin atë që edhe ai vetë u kishte premtuar, atëherë ata po i shërbenin kështu Edi Ramës.

E dyta, kapërcen Adriatikun dhe nis një tur takimesh me biznesin nëpër Itali, së cilës vetëm Kryetari i opozitës sonë mund tia dijë kuptimin, se përse i duhet sot kur nuk është as në Parlament, as në qeverisjen lokale dhe as në qeverisjen qëndrore. Ndërkohë që zgjedhjet e reja Parlamentare janë pas një viti e gjysëm, në qershorin e 2021, mereni me mend vetë sesa vlerë ka “de facto” turi i këtyre ditëve.

U takua siç shkruan vetë në rrjetet sociale, me përfaqësues “të industrisë, infrastrukturës dhe logjisitikës, në rajonin e Friuli-Venezia-Giulia dhe më pas, edhe me drejtuesit e Dhomës së Tregtisë në Pordenone-Udine”. Takime këto në të cilat ai thotë se po u shpjegon investitorëve të huaj, planin ekonomik që PD do të zbatojë kur të jetë në pushtet. Kësaj i thonë; “peshku në det, e tigani në zjarr”.

E treta, Lulzim Basha nga Italia bën një postim “interesant”, që i vë vulën mënyrës së re të sjelljes së tij “Kryeministrore”: “Bashkë me drejtuesit e Emergjencave Civile Italiane, sot kemi rënë dakort që përvoja e tyre e jashtëzakonshme të transferohet edhe në Shqipëri për të trajnuar ekipet shqiptare: është zotimi im që qeveria e ardhshme të mos gjendet më e papërgatitur para fatkeqësive natyrore!”

Pasi të ikën nënqeshja, pas kësaj, thua me vete: O Zot, ishalla nuk e lexojnë të gjithë shqiptarët, se ndonjëri prej tyre që mund ta marë vërtetë seriozisht Lulzim Bashën, mund të nisë e të mendojë: Ska gjë. Pas kësaj, le të bien tërmetet, mjafton që ta kemi tani e tutje, veç atë në krye të vendit!

E gjitha kjo sjellje e fundit Kryeministrore e Lulzim Bashës, mund të ketë veç një shpjegim racional. Ose ajo çfarë po ekspozohet është një tallje e madhe me të gjithë opozitarët e Shqipërisë, ose gjëja më cinike në botë. Sepse të flasësh, të marësh poza e të sillesh si Kryeministër, në ditën më të zezë të opozitës është veç të tjerash, një sjellje që të fyen inteligjencën. Sepse, askush nuk mund të sygjestionohet sot pas 30 vjetësh demokraci, nga fjalët boshe të dikujt që të tregon sesi do të jetë udhëtimi i tyre në Hënë, ndërkohë që ua tregon atë të pasqyruar, në pellgun ku i ka zhytur vetë.

Nëse Lulzim Basha po e bën këtë tur dhe këtë sjellje “Kryeministrore”, i kompleksuar nga qasja dhe projeksioni aktual i profilit të Edi Ramës në planin ndërkombëtar, atëherë kjo e bën akoma edhe më qesharake sforcimin e kryetarit të opozitës shqiptare. E ta mendosh që janë po të njëjtët, si ata që dikur predikonin se Edi Rama nuk mund të bëhej dot Kryeministër i Shqipërisë sepse nuk e njihte diplomacinë dhe politikën e jashtme, me ata që po kompleksohen sot nga ky dimension aktual i tij.

Por përtej të gjitha këtyre, Lulzim Basha do bënte mirë që ti tregonte çdo ditë opozitarëve me aksionin dhe lidershipin e tij, se realisht do ti rikthejë në pushtet. Mjafton për këtë që ta rikthehet në tryezën e madhe të reformës elektorale dhe të dialogut pa kushte me mazhorancën. Të riorganizojë PD dhe më pas të gjithë aleatët, e të nisë pas kësaj, procesin e pandalshëm të ngjizjes e përhapjes së frymës së ndryshimit. Të futet në zgjedhjet e ardhshme e të konkurojë fort me listën e opozitarëve më të mirë të mundshëm. Të fitojë zgjedhjet, e më pas të mari mandatin për të krijuar qeverinë, e të nisë të sillet si Kryeministër prej vërteti.

Përndryshe, e gjitha kjo që po bën ai këto ditë, nuk është gjë tjetër veçse versioni politik i asaj ëndrrës së treguar nga malësori në një nga filmat e socrealizmit: “Kam një kaçile plot me vezë, që do i shtroj e me to do çel shumë zogj. Zogjtë do rriten, e me to do blejë ca qingja. Pastaj qingjat do shtohen, e me to do bëj kope… E në këtë moment të ëndrrës me sy hapur dëgjohet një; “plluq”. Kaçilja i kishte rënë nga dora dhe vezët iu thyhen të gjitha!