Franca kërkon miratimin e metodologjisë së re të zgjerimit dhe më tej hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Këtë qëndrim mbajti Macron gjatë takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç. Kreu francez theksoi dëshirën e Francës që samiti i Zagrebit të jetë i suksesshëm. Pikërisht në këtë samit do të vendoset fati i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi të martën para takimit me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviç në Paris se dëshironte që samiti i majit në Zagreb, të ishte i suksesshëm dhe se ndryshimet në metodologjinë e procesit të negociatave ishin parakusht për hapjen e negociatave me vendet kandidate.

“I bashkohem përpjekjeve tuaja që samiti në maj në Zagreb të arrijë unitet dhe të jetë një sukses për Europën. Franca ka propozuar një metodologji të re për procesin e zgjerimit në mënyrë që të mos jetë thjesht një proces burokratik, por një rrugë politike, që përmban kushte e gjithashtu përfitime konkrete për vendet kandidate,” deklaroi Macron, i cili së bashku me kryeministrin Plenkoviç dhanë një deklaratë për shtyp përpara takimit në pallatin Elize’. “Do të doja të theksoja dëshirën e Francës që samiti i Zagrebit të jetë i suksesshëm,” shtoi Macron.

Të dy liderët diskutuan ndër të tjera edhe për përgatitjet e konferencës për të ardhmen e Europës dhe Samitin BE-Europa Juglindore që do të mbahet në maj në Zagreb, ku në fokus është zgjerimi i mëtejshëm i bllokut. Me marrjen e presidencës së radhës të Këshillit të BE-së më 1 janar, Kroacia dëshiron ta zhbllokojë ketë proces sepse konsideron se nuk ka asnjë alternativë përveç perspektivës europiane të vendeve të Europës Juglindore.

“Jam i kënaqur që presidenti Macron shprehu optimizëm në lidhje me suksesin e samitit të Zagrebit. Është në interesin tonë që shtetet të jenë të qëndrueshme dhe të zbatojnë reformat ekonomike dhe sociale,” deklaroi kryeministri Plenkovic.