Mbi 150 aplikime kanë mbërritur në e-albania për tu pajisur me leje nga ana e ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që nga data 6 janar kur nisi ky proces. “Vetëm brenda 9 ditëve nga data 6 janar që administrata ka qenë funksionale dhe deri në datë 15, janë kryer 150 aplikime dhe kemi arritur t’i trajtojmë dhe tu kthejmë përgjigje. Ke kjo do të thotë që sistemi është funksional plotësisht”, deklaroi sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një takimi që zhvilloi me Kryeministrin Edi Rama, pranë MIE-s për të demonstruar shërbimet online që ofrohen nga institucioni që ajo drejton.
Balluku tha se janë 50 shërbime publike të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë prej 1 janarit online në e-albania.al/. “Konkretisht janë 23 licenca për të cilat mund të aplikohet vetëm online. 9 shërbime janë në fushën e licencimit të pasurive të paluajtshme dhe 14 shërbime janë për studim projektim ose mbikëqyrje e kolaudim. Për këto shërbime kryhen rreth 33 mijë përdorime në vit”, shtoi ajo. Nëse më përpara qytetarit i duhej më shumë se një javë kohë për të mbledhur dokumentacionin e nevojshëm dhe për ta nisur me postë, tashmë atij i duhet vetëm 3-4 minuta për të kryer aplikimin.
“Tani çdo gjë është më e thjeshtë, pasi për 3-4 minuta kryen aplikimin dhe më e rëndësishmja është që ai vetëm me numrin e aplikimit e ndjek online statusin e aplikimit të tij dhe qytetari vjen vetëm për të tërhequr licencën. Shkurtojmë kohën dhe kosto, pasi ai nuk do të ketë më nevojë për të harxhuar para për të bërë noterizim e pagesa tarifash të tjera. Tani çdo gjë është e thjeshtë dhe më e lehtë për të gjithë”, u shpreh drejtori i Licencave pranë MIE-s. “Kemi deklaruar dhe do të mbajmë premtimin që deri në 30 qershor të ofrojmë edhe 42 shërbime të tjera duke arritur në 92 gjithsej dhe 31 dhjetorin e 2020 ta mbyllim edhe me 70 shërbime të tjera, duke kapur shifrën e 162 shërbimeve online”, deklaroi ministrja Balluku.
“Ulet burokracia, shkurtohet koha e ofrimit të shërbimit nuk mund të ketë më komente për korrupsion sepse kemi qytetarin dhe sistemin”, tha ministrja. Ministrja po ashtu vuri në dukje se faza e shërbimit online është paraprirë nga faza e deregulimit. “Kemi shkurtuar ndjeshëm një pjesë të madhe të dokumentacionit duke lehtësuar këtë faze të automatizimit të shërbimeve”, tha Balluku.