Mbi 18 mijë biznese të reja janë regjistruar në vend në vitin 2019. Këtë e ka deklaruar drejtoresha e Përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), Pranvera Fagu (Behushi), në një prononcim për ATSH-në, duke shtuar se trendi i rritjes së numrit të bizneseve të reja të regjistruara në vend është afërsisht i njëjtë me vitet paraardhëse.
Qeveria thotë se përmirësimi i mëtejshëm i terrenit ekonomik dhe klimës së biznesit është sfidë që vazhdon në fazën e dytë të programit ekonomik të saj.
Ajo ka marrë përsipër të zhvillojë disa incentiva që lidhen me zonat ekonomike dhe teknologjike, që janë zona ku vetë qeveria merr përsipër të lehtësojmë biznesin jo vetëm në aspektin procedurial, por edhe tarifor, doganor, ose të pagesës së taksave.
Gjatë viteve të fundit ajo ka përmirësuar ligjin e Partneritetit Publik Privat, ka hartuar një ligj të ri të investimeve strategjike, ka mundësuar një ligj të ri të turizmit, si dhe i ka dhënë një dimension të ri AIDA-s, duke e kthyer në portalin e vetëm unik ku mund të shkojë biznesi dhe të jetë investitor dhe Agjencia të marrë përsipër ta asistojë atë më procedura të lehtësuara e të veçanta.
1 janari 2020 shënoi fillimin e revolucionit digjital edhe në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Është një proces që do të rrisë, padyshim, thjeshtimin e shërbimeve ndaj publikut. Do të ulë radhët dhe eleminojë burokracitë administrative. Kursim kohe. Kursim kostosh financiare.
Tashmë, bizneset do të ndihen të lehtësuar në kryerjen e aplikimeve për dokumentet që më parë duhet t`i merrnin në zyrat e shtetit.
Sot, të gjitha dokumentet shoqërues që lëshohen nga institucionet shtetërore, do të sigurohen nga vetë administrata. Ky proces do të ofrojë shërbime publike shumë më efikase e më cilësore. /ATA/