Shqipëria renditet në vendin e 20 nga 153 vende, sipas raportit të Indeksit Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror të vitit 2020 Tiranë, 22 Janar – “Të dhënat e raportit të Indeksit Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror të vitit 2020, tregojnë që për vitin 2019 Shqipëria renditet në vendin e 20-të nga 153 vende, krahasuar me vendin e 34-t që ishte në vitin 2018, me përmirësime të dukshme në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin politik të grave”. Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në mbledhjen e IV të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore, që zhvilloi punimet pasditen e sotme në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Manastirliu deklaroi se për herë të parë Shqipëria ka hartuar raportin “Indeksi i Barazisë Gjinore në Shqipëri”, i cili do të publikohet për herë të parë për Shqipërinë. “Ky raport që hartohet për herë të parë na tregon se përparimi i Shqipërisë në drejtim të barazisë gjinore shënon vlerën 60.9 pikë, pra vetëm 7 pikë më pak se mesatarja e Indeksit të Barazisë Gjinore të vendeve të Bashkimit Evropian”, tha Manastirliu.

Megjithë progresin e shënuar në këtë fushë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal te problematika e dhunës në familje, një fenomen me të cilin përballen çdo ditë qindra e mijëra gra. “Janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 4629 raste të dhunës në familje, pra 322 raste ose 6.5% më pak se gjatë vitit 2018”, tha Manastirliu. Manastirliu tha se pavarësisht ka një ulje të shifrave të dhunës në familje zbatimi korrekt i ligjit, puna për fuqizimin e strukturave dhe shërbimeve mbështetëse të specializuara për mbrojtjen dhe trajtimin deri në riintegrim të viktimave/të mbijetuarave, mbeten prioritet duke planifikuar mbështetje në terma financiarë. “Për vitin 2019-të janë mbështetur me fonde nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale jo vetëm shërbimet e specializuara të ngritura nga shteti, por edhe ato të inicuara apo që menaxhohen nga shoqëria civile. Këtu mund të përmendim Linjën Kombëtare të Këshillimit për Gra dhe Vajza 116 117, Linjën Telefonike Kombëtare për fëmijët ALO 116 111, si dhe Qendrën Rezidenciale “Streha” për antarët e komunitetit LGBTI. Gjithashtu buxhet i përvitshëm planifikohet për Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje dhe për Qendrën Kombëtare Pritëse të Viktimave të Trafikimit. Njëkohësisht prej një viti po menaxhojmë Qendrën “LILIUM”, të parën qendër të trajtimit të viktimave të dhunës seksuale në Shqipëri”, tha ministrja.

Këshilli Kombëtar i Barazisë Gjinore që drejtohet nga ministrja Manastirliu, i përbërë nga drejtues të ministrive të linjës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, miratuan raportet e monitorimit dhe vlerësimit, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, më konkretisht: Raportin e Monitorimit mbi Zbatimin e Planit Ndërinstitucional të Veprimit në lidhje me Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi “Gruan, Paqen, Sigurinë” për periudhën Tetor 2018 – Shtator 2019; Raportin mbi Indeksin e Barazisë Gjinore në Republikën e Shqipërisë, i përgatitur për herë të parë për Shqipërinë në vitin 2020 dhe Raportin mbi analizën e funksionimit të Mekanizmave të Koordinuar të Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje në nivel vendor, bazuar në vlerësimin e përfunduar në Tetor 2019.