Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, do të qëndrojë sot dhe nesër në Shkup dhe Tiranë në vizitën e parë në rajon prej marrjes së detyrës në fund të vitit të kaluar. Në njoftimin e Komisionit Evropian thuhet se Varhelyi do ta shfrytëzojë vizitën për të theksuar edhe një herë përkushtimin e plotë të Komisionit Evropian ndaj së ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, e para në Ballkanin Perëndimor si komisioner, dua të dërgoj sinjal të fuqishëm se perspektiva evropiane e rajonit është prioritet, si për mua personalisht, ashtu edhe për Komisionin Evropian”, tha Varhelyi. “Ne qëndrojmë pas propozimit për të hapur negociatat e pranimit me të dyja vendet dhe punojmë që kjo të ndodhë shumë shpejt”, shtoi ai.
Në tetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian nuk e ka miratuar nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian se ato i kanë përmbushur kushtet. Vendimi është bllokuar nga Franca, e cila ka kërkuar reforma të mëtejshme nga dy vendet, por edhe reformim të procesit të zgjerimit. Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, Varhelyi gjatë qëndrimit në Shkup, të mërkurën, do të takojë presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe zyrtarë të tjerë të këtij shteti. Varhelyi do të vizitojë Tiranën të enjten, ku do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, dhe përfaqësues të tjerë të shtetit. Varhelyi do të vizitojë edhe qytetin e Durrësit, i cili në fund të nëntorit është goditur nga një tërmet shkatërrues.