Në vetëm 10 ditë, pranë zyrave kombëtare të punësimit janë kryer 258 aplikime online nga qytetarët dhe punëmarrësit. Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen bëri të ditur se në të gjitha zyrat e punës janë 24 shërbime që tashmë kanë kaluar online. “Në këtë periudhë ka patur rreth 258 aplikime online kryesisht për vendosjen e një takimi me specialistë të punësimit për tu regjistruar si punëkërkues i papunë, si dhe për pajisjen me të gjitha llojet e lejeve të punës”, deklaroi zv/ministrja nga njëra nga degët e zyrës së Punës në Tiranë.
Sipas Sorensen, duke u nisur nga numri i aplikimeve vërejmë se është pare me interes të madh nga ana e qytetarëve të aplikojnë online dhe më pas të vijnë për të tërhequr lejet e punës. Por, online punëmarrësit mund të shpallin edhe vendet vakante të punës. “Ne duam të ndërgjegjësojmë edhe punëdhënësit që të hyjnë në system, të regjistrohen e të shpallin të gjitha vendet e lira të punës online, pa qenë e nevojshme për të ardhur pranë zyrës së Punës për të kryer këtë process”, tha Sorensen. Për të gjithë ata qytetarë që e kanë të pamundur marrjen online të këtij shërbimi, Zyrat e Punës kanë vendosur një specialist për tu ardhur në ndihmë atyre.
“Është vendosur një specialist i dedikuar që për të gjitha ata qytetarë që do të kenë nevojë për asistencë të kenë mundësi ta marrin pranë zyrave të Punës”, shpjegoi zv/ministrja. Sipas saj ofrimi online i shërbimeve redukton kohën dhe koston për punëmarrësit e punëdhënësit. “Është reduktuar dhe koha për dhënien e dokumentacionit për qytetarin. Një dokument që do ta kërkonte ministria e Shëndetësisë apo Sigurimet Shoqërore, qytetari detyrohej të vinte këtu ta merrte atë lloj konfirmimi. Sot nuk është më e nevojshme sepse e merr vet institucioni”, u shpreh Sorensen.