Kryetarja e komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli shprehu sot besimin se me mbështetjen e vazhdueshme të Kancelares Angela Merkel dhe të të gjithë dashamirësve dhe vendeve që besojnë të zgjerimi, ne do të mundësojmë një përgjigje pozitive këtë herë për çeljen e negociatave. E ftuar në një studio televizive, Kodheli tha se “kushtet e Bundestagut janë vazhdim i detyrave tona të përcaktuara kohë më parë”. “Nuk ishin 9 kushte të reja, por 9 piketa për të vazhduar rrugën që kemi nisur”, tha ai. Duke folur për reformën zgjedhore, Kodheli tha se “pak rëndësi ka sistemi, por rëndësi ka të fillojmë të ndërgjegjësohemi si politikë dhe si shoqëri, që zbatimi i drejt i ligjit të sjellë leximin e drejt të votës”.

“Uroj që politika në përgjithësi, mediet, të mund ta mbështesin këtë gjë, si një nga gjërat më pozitive me të cilat ka nisur ky vit. Kjo duhet të ishte bërë shumë kohë më parë dhe koha vërtetoi se politikisht u gabua shumë nga opozita për lënien e mandateve. Është mirë të reflektojmë, por shpresoj që të bëjmë diçka të mirë këtë vit për politikën që do t’i bëjë mirë të ardhmes”, tha ajo. Kodheli përgëzoi praninë e opozitës dhe punën e komisionit të reformës zgjedhore në këtë proces.

Lidhur me reformën në drejtësi dhe vonesat në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ajo tha se “ne e dinim se do të kishte mungesa”. “Jemi penguar edhe me ligjin e Magjistraturës. Të gjitha këto i ka bërë politika. Të gjitha këto kanë qenë artifica për të mos patur sukses reforma. Por me mbështetjen e dashamirësve tanë ndërkombëtarë, është bërë e mundur që reforma të vazhdojë sot. Unë mendoj se duhet t’i japim kohë për t’i bërë gjërat si duhet”, tha Kodheli.

Ndërkohë, Kodheli komentoi edhe dekriminalizimin kur deklaroi se “ligji i vetëdeklarimit është një ligj shumë i fortë”. “Unë besoj që ata që filluan të merren me politik, e morën lehtë këtë ligj. Ky ligj nuk ngarkon subjektin kur individi nuk ka deklaruar atë që duhet. Është nën përgjegjësinë tënde personale”, tha Kodheli. Kodheli përshëndeti po ashtu edhe ardhjen në Shqipëri të ambasadores së re të SHBA-së, duke nënvizuar se “politika e DASH, SHBA dhe Presidentit të SHBA-së është e njëjtë kur flitet për rajonin dhe Shqipërinë, ata janë gjithmonë me ne”.