Qeveria shqiptare do të vijojë mbështetjen e familjeve për të porsalindurit përmes bonusit të bebes.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu publikoi edhe fotot e bebeve të para të 2020 në spitalet e vendit.

“Nga Spitali i Tropojës, në atë të Vlorës, fëmijët e parë të ardhur në jetë në këto ditë të para të 2020-ës. Do të vijojmë mbështetjen me bonusin e bebes për çdo të porsalindur”, – u shpreh Manastirliu.

Për bonusin e lindjeve në buxhetin e vitit 2020 është parashikuar një fond prej 2 miliardë lekë ose 0,1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Bonusi i bebes, është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 dhe mbështet familjet e reja pavarësisht statusit social-ekonomik.

Pagesa për lindjen e fëmijës së parë është 40 mijë lekë, fëmijën e dytë 80 mijë lekë, fëmijën e tretë, të katërt e në vijim bonusi i bebes është 120 mijë lekë për çdo fëmijë.

Për nënat që lindin binjakë masa e përfitimit do të jetë në masën 80 000 (tetëdhjetë mijë lekë) për secilin fëmijë.

Për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 (njëqind e njëzetë mijë lekë) për secilin fëmijë.

Për 2019 janë mbi 37180 familje që janë gëzuar me fëmijë, që kanë përfituar nga bonusi i bebes si një mbështetje direkte financiare.