Alfred Peza
Partia Demokratike për tiu shmangur debatit në lidhje me ndryshimin ose jo të sistemit elektoral në Shqipëri, ka bërë atë që di të bëjë më mirë në të tilla raste, për të ushqyer pritshmëritë e opozitarëve dhe për të bërë që të harrohen kritikat e forta në drejtimi të kryetarit të saj Lulzim Basha. Ajo ka rikthyer sërisht në skenë opsionin e zgjedhjeve të parakohëshme, i cili duhet pranuar se josh gjithnjë më tepër se shumëçka tjetër, kundërshtarët e mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama.
Ky oposion është sot akoma edhe më jo realist, sasa ka qenë për afro 6-7 vite me radhë, qëshkurse PD kaloi në opozitë. Për një arësye fare të thjeshtë: Për aq kohë sa viti 2021 kur do të zhvillohen zgjedhjet normale të radhës është kaq pranë, paraqitja e këtij oposion, si e vetmja kauzë e re apo si “ultimatumi” opozitar i radhës, është thjeshtë një ndërmarrje krejt e kotë dhe pa asnjë gradë realizmi politik.
Pyetja që lind është se përse PD dhe lidershipi i saj, iu rikthye pikërisht tani tezës së zgjedhjeve të parakohëshme? Arësyeja është fare e thjeshtë nëse i referohesh zhvillimeve të ditëve të para të 2020. Ajo ka të bëjë me faktin, se e vetmja gjë e re që ka prodhuar fronti opozitar, ishte qëndrimi përfundimtar i lidershipit të tij për të MOS e ndryshuar sistemin zgjedhor në Shqipëri.
Së pari, ky qëndrim ishte krejt i kundërt me premtimet e Lulzim Bashës deri në fund të 2019 dhe me kërkesën e panegociueshme që kishin bërë aleatët e tij më të vegjël.
E dyta, kjo bie ndesh me kërkesën gjithnjë e në rritje të shumë e shumë opozitarëve që e shohin pikërisht tek kjo pikë, shkakun se përse opozita mund të humbasës sërisht në zgjedhjet e ardhshme.
E treta, nëpërmjet këtij qëndrimi Lulzim Basha ka humbur mbështetjen e 50 mijë opozitarëve, të cilët firmosën një peticion për ndryshimin e sistemit, që e dorëzuan në Parlament.
Për të shmangur efektin ortek të këtyre kritikave, për të ndaluar rënien në sondazhe që i solli ky qëndrim dhe për ta anashkaluar këtë temë, në tregun mediatik e publik, u hodh ky oposion.
“Ultimatumi” i fundit verbal për zgjedhjet e parakohëshme, bie ndesh me vetë hapat praktikë që po hedh opozita në lidhje me zhvillimet e ardhshme politike. Sepse nga njëra anë Lulzim Basha dhe aleatët e tij, deklarojnë se janë duke bërë gati projektin e tyre për reformën elektorale të cilën do ia paraqesin komisionit parlamentar, e nga ana tjetër pretendojnë, se do futen në zgjedhje të parakohëshme.
Monika Kryemadhi nxorri si sebep për mosndryshimin e sistemit zgjedhor, pikërisht mungesën e kohës për implementimin e ndryshimeve që mund të bëheshin, pasi zgjedhjet e radhës janë shumë pranë. Nga ana tjetër, ajo tha se mosndryshimin e sistemit do e rikuperojnë brenda strukturave, duke zhvilluar një proces zgjedhjesh sipas parimit një anëtar një votë, çka kërkon gjithashtu kohën e vet të nevojshme.
Ndaj edhe për këtë shkak, kërkesa e tanishme e liderëve të opozitës për zgjedhjet e parakohëshme, është e pasinqertë dhe sa për të kaluar këtë moment të parë të keq politik që kanë brenda vetes.
Për aq kohë sa në Shqipëri nuk është miratuar e më pas implementuar reforma e re zgjedhore, nuk ka zgjedhje të parakohëshme. Për aq kohë sa nuk janë ngritur të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, vendi nuk mund të futet në një fazë të re politike, duke bartur sërisht me vete, problemet e vjetra. Për aq kohë sa procesi i rindërtimit të pasojave të tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit, nuk ka marë udhën e vet, është cinizëm i madh ti ftosh qytetarët, që të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e parakohëshme.
Ndaj kërkesa e këtyre ditëve e opozitës, meriton thjeshtë diçiturën: Një kërkesë e prapakohëshme, për zgjedhjet e parakohëshme!