Një tjetër hapësirë dedikuar totalisht qytetarëve të Tiranës do i shtohet Parkut të Liqenit Artificial. Bëhet fjalë për hyrjen verilindore të Parkut të Madh, para Universitetit të Gjeologji-Minierave. Punimet për rikualifikimin e kësaj pjese kanë nisur dhe shumë shpejt të gjithë adhuruesit e natyrës e sidomos fëmijët, do t’i gëzohen kësaj hapësire rekreative, ku do mund të kalojnë fundjavat larg zhurmës së qytetit.
Për vite të tëra hyrja verilindore e Parkut të Madh, para Universitetit të Gjeologji-Minierave ishte zaptuar nga ndërtimet pa leje dhe në disa zona i ngjante më shumë një landfilli mbetjesh. Tashmë, falë investimeve të vazhdueshme nga ana e Bashkisë, Parku i Liqenit është një ndër destinacionet më të preferuar për qytetarët e Tiranës. Jo vetëm një hapësirë ku mund të pushosh e të çlodhesh nën hijen e pemëve dhe cicërimat e zogjve, por mund të zhvillosh edhe aktivitete të ndryshme sportive.