E dini ç’formë fytyre kanë njerëzit që kanë më shumë shanse për të qenë të suksesshëm? Fytyrë në formë zemre! Këta njerëz, kanë gjasa të bëhen më të famshëm se të tjerët, por ç’është fytyra në formë zemre? Ballë i gjerë dhe mjekër e mprehtë; kjo lloj fytyre zakonisht është më e gjerë në pjesën e mollëzave. Kjo formë mbështetet edhe nga vija e flokëve, që krijon iluzionin e një trekëndëshi.
Çfarë karakteristikash përfaqëson kjo lloj fytyre? Joshje dhe sensualitet magnetik! E keni parasysh llojin e njeriut që i bën të gjithë për vete? Natyrë e dashur karshi të tjerëve, duke ditur t’i bësh ata të ndihen mirë pranë teje. Përgjithësisht, njerëzit me këtë lloj fytyre janë në kërkim të risive, por edhe mërziten shpejt. Janë natyra ekstroverte, krijuese dhe shprehëse. Adhurojnë shfaqjet përpara publikut. Njerëzit me këtë formë fytyre kanë më shumë gjasa për t’u bërë të famshëm! Ekspertë të leximit të fytyrës e shpjegojnë këtë fakt duke marrë shembullin e VIP-ve që kanë këtë lloj fytyre: Reese Witherspoon, Miranda Kerr, Kourtney Kardashian, Ruby Rose, janë vetëm disa prej tyre. Nëse keni këtë lloj fytyre, mund t’ju trembë shumë refuzimi. I shijoni shumë hapat e parë në një marrëdhënie, kur gjithçka është plot emocion. Por sapo gjërat fillojnë të bëhen serioze, mund të mërziteni dhe të humbisni interes.
Mund të keni karakter prej ‘Diva’; çdokush dhe gjithçka sillet rreth jush, dhe së pari mendoni për veten. Keni luhatje të herëpashershme emocionale dhe prireni të jeni të drejtpërdrejtë, ndonjëherë deri në lëndim. Edhe pavendosmëria, mund të karakterizojë shumë prej njerëzve me këtë formë fytyre. Jeni shumë kërkues, dhe keni pritshmëri shumë të larta nga vetja apo të tjerët. E urreni kur ju kritikojnë! Keni një energji të pashtershme. Askush nuk mundet t’ju ndalë!