Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka bën me dije se bregdeti shqiptar pas më shumë se 40 viteve nuk është më me shënimin zonë e minuar. Xhaçka ka publikuar edhe hartën përfundimtare të Zyrës së Shërbimit Hidrografik të Britanisë së Madhe ku thuhet se bregdeti shqiptar nuk përfaqëson asnjë rrezik për lundrimin. “Që prej 2 Janarit 2020, në hartat e prodhuara nga Zyra e Hidrografisë së Britanisë së Madhe, Shqipëria nuk cilësohet më si bregdet i minuar. Për më shumë se 40 vjet, kjo zyrë, në hartat e publikuara prej saj, të përdorura gjerësisht nga lundërtarët, ruante shënimin “Formed mined zone” (ish zonë e minuar) për bregdetin shqiptar.
Falë studimeve profesionale në terren, të Shërbimit Hidrografik të Forcës Detare Shqiptare dhe komunikimit me Zyrën e Shërbimit Hidrografik të Britanisë së Madhe, bregdeti shqiptar nuk përfaqëson asnjë rrezik për lundrim. Këtë fakt e konfirmon, drejtori Ekzekutiv i Zyrës Hidrografike në Britaninë e Madhe, Admiral Tim Lowe, zyra e të cilit ka botuar edhe këtë hartë përfundimtare. Një vendim pozitiv me efekte të mëdha, veçanërisht në zhvillimin e turizmit detar në Shqipëri”, shkruan Xhaçka ne rrjetin social.