Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi sot se “do t’i rrëzojmë dekretet e Presidentit Meta dhe do të vijojmë bashkëpunimin me çdo organizatë brenda e jashtë vendit, për çdo përmirësim të mundshëm të legjislacionit “antishpifje” në të ardhmen”.

Në një reagim pas rrëzimit nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese të dekretit të presidentit që rikthen në Kuvend ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, pjesë e paketës antishpifje, Balla tha se “dekretet e Presidentit të Republikës mbrojnë një statukuo, ku shpifja ndaj personit ka triumfuar gjerësisht dhe ku dizinformimi publik është kthyer në normë jetese për shumë aktorë online, ndërsa bashkëpunimi ynë me OSBE-në dhe Këshillin e Europës ka synuar dhe do të synojë mbrojtjen e fjalës së lirë e të integritetit njerëzor nga shpifja, si edhe të vetë publikut nga dezinformimi”.

“Ne jemi në kontakt dhe i falënderojmë kolegët e APKiE qe ia kaluan Komisionit të Venecias tekstin dhe mezi presim ta përmirësojmë më tej ligjin me sugjerimet e vyera të Komisionit të Venecias”,- tha Balla. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, u shpreh se “sikurse e kemi thënë, institucionet përkatëse shqiptare do të punojmë ngushtësisht me OSBE-në për aktet e domosdoshme nënligjore”.