“230 studentet e Universitetit “Ismail Qemali”, do të pushojnë e shpresojmë të studiojnë sa më shumë në këtë konvikt të ri, me kushte njësoj si kudo në banesat e thjeshta studentore jashtë shtetit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama i cili pa godinën 4-katëshe të konviktit e transformuar tërësisht pas rikonstruksionit rrënjësor duke ofruar ambiente me standarde të reja.

“Nuk harrohen premtimet në shtëpinë tonë dhe e dimë mirë sa kemi dhënë e sa duhet të mbajmë akoma”, u shpreh Kryeministri. Kryeministri Rama inspektoi të gjithë konviktin, dhomat, tualetet, depozitat e ujit me ngrohje, kuzhinën, sallat e leximit dhe bibliotekën. Sot u shpreh Rama, kemi kaluar në mbledhje qeverie mobilimin e këtij konvikti, atij të Korçës dhe të Shkodrës. Kryeministri Rama kërkoi nga kryetari i bashkisë së Vlorës dhe nga Rektori i Universitetit të bëjnë projektin për sheshin përpara konviktit.

“Bëjeni një projekt për këtë këtu, që të bëhet tamam Kampus. Ndërtojmë gjithë këtë dhe shikojeni si është këtu. Nuk bëjmë një projekt për këtë pjesën këtu përpara. Këta vijnë 4 vite ikin. Shikojeni si është këtu. Sikur keni 2000 projekte për të bërë. Projektet e mëdha ua sjellim gati nga Tirana. Bëni këto të voglat të paktën”, iu drejtua Rama atyre.