Një megaaksion është ndërmarrë sot nga policia e Tiranës, pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, që shkaktoi vdekjen e 51 personave. Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se janë shoqëruar rreth 40 persona, ish-drejtues vendorë dhe shefa urbanistike, por edhe ndërtues, ndërsa aksioni është shtrirë në Vore, Kashar dhe Farkë, zona ku dëmet nga tërmeti kanë qenë të konsiderueshme. Po ashtu Lala raporton se në polici është shoqëruar ish-shefi i Urbanistikës në Bashkinë Vorë, Luan Beta si dhe Bardh Plaku, ish-kreu i Komunës së Farkës.
Kujtojmë se rreth një muaj më parë një aksion i ngjashëm i zhvillua në Durrës, ku u arrestuan 18 persona, mes tyre zyrtarë dhe ndërtues. Tërmeti i 26 nëntorit përveç viktimave, shkaktoi dëme të frikshme, ku qindra persona u plagosën dhe mbetën pa shtëpi. Personat e shoqëruar ndodhen në ambientet e policisë së Tiranës.